Vizita e fundit e presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, në Shkup e bëri edhe një herë të qartë atë që tashmë e dimë, por vazhdojmë të sillemi sikur nuk e kemi kuptuar: Maqedonia e Veriut po humb kohë të çmuar. Mesazhi i tij ishte i njëjtë me atë të para një viti: Pacta sunt servanda – Marrëveshjet duhet të përmbushen. Në gjuhën diplomatike kjo mund të tingëllojë si një fjali e zakonshme, por në realitetin tonë politik është një konstatim i rëndë: vendi është ende aty ku ishte, i bllokuar, i lodhur, pa një plan të qartë dhe pa një perspektivë të dukshme për dalje nga ky ngërç.
Kjo gjendje është bërë frustruese. Jo vetëm për politikanët, jo vetëm për institucionet, por para së gjithash për qytetarët. Sepse qytetarët janë ata që paguajnë çmimin e pritjes së pafundme. Ata janë ata që dëgjojnë vite me radhë të njëjtat deklarata për “përkushtimin evropian”, ndërkohë që në jetën e tyre të përditshme shohin pak ndryshim, pak reformë, pak përgjegjësi dhe shumë kalkulim politik. Edhe sa kohë do të mbetemi peng i politikave ditore? Edhe sa kohë do të jetojmë në këtë gjendje pezull, ku as nuk ecim përpara, as nuk guxojmë të pranojmë se kemi ngecur? Edhe sa kohë do të flasim për Evropën pa e ndërtuar seriozisht rrugën drejt saj?
Ndërkohë, rajoni nuk po pret. Shqipëria, e cila për vite me radhë ishte në të njëjtën paketë me Maqedoninë e Veriut, sot është dukshëm më përpara. Në maj 2026, Konferenca e Tetë e Anëtarësimit me Shqipërinë konfirmoi përmbushjen e kritereve të përkohshme për sundimin e ligjit dhe vendosi kriteret përmbyllëse për Klasterin e parë, duke i hapur rrugë fillimit të mbylljes së kapitujve negociues. Komisionerja për zgjerim, Marta Kos, e përshkroi këtë si kalim të Shqipërisë në fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk ka probleme, sfida apo reforma të vështira përpara. Por do të thotë se ajo ka arritur ta ruajë lëvizjen përpara. Ne, ndërkohë, vazhdojmë të diskutojmë se si të dalim nga pika ku kemi mbetur.
Natyrisht, nuk duhet fshehur fakti se procesi i zgjerimit ka qenë shpesh ka lejuar që çështje bilaterale të shndërrohen në pengesa të përsëritura për një proces që në teori duhet të jetë i bazuar në merita. Por kjo e vërtetë nuk na liron nga përgjegjësia jonë. Nuk mund të fshihemi pafund pas padrejtësive të jashtme për të arsyetuar mungesën e strategjisë së brendshme. Nëse e dimë se ndryshimet kushtetuese janë çelësi formal për hapjen reale të negociatave, atëherë ku është plani? Ku është procesi i qartë politik?
Në vend të kësaj, ne shohim shumë deklarata dhe pak veprim. Shumë pozicionim partiak dhe pak përgjegjësi shtetërore. Shumë kalkulim për zgjedhjet e ardhshme dhe pak mendim për dekadën e ardhshme. Integrimi evropian është bërë temë që përdoret për politika ditore, jo projekt që menaxhohet me seriozitet afatgjatë. Kjo është arsyeja pse mesazhi i Kostës tingëllon kaq i ftohtë: sepse ai vjen në një vend që e di çfarë duhet të bëjë, por nuk arrin ta bëjë.
Më shqetësuese është se kjo gjendje po krijon një ndjenjë të thellë pa perspektivë. Kur qytetarët nuk shohin dritë në fund të tunelit, ata dita ditës e humbasin krejtësisht besimin. Të rinjtë nuk mund të jetojnë me deklarata diplomatike. Ata nuk mund të ndërtojnë të ardhmen mbi pritje të pafundme. Ata shohin se vendet e tjera po ecin, ndërsa ne vazhdojmë të diskutojmë nëse duhet të nisim rrugën që formalisht e kemi pranuar tashmë. Kjo është demoralizuese dhe politikisht e rrezikshme.
Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse do t’i bëjmë apo jo ndryshimet kushtetuese. Pyetja është më e madhe: a kemi kapacitet si shtet të marrim vendime strategjike, apo do të mbetemi përgjithmonë të robëruar nga politika ditore? A mund të dallojmë interesin afatgjatë nga përfitimi i menjëhershëm politik? A mund të ndërtojmë një proces ku qytetarët nuk trajtohen si spektatorë të lodhur, por si pjesë e një vendimi të madh kombëtar dhe shtetëror?
Maqedonia e Veriut nuk ka më luksin të presë. Nuk ka luksin të humbasë edhe një vit tjetër me të njëjtat deklarata, të njëjtat justifikime dhe të njëjtin bllokim. Nëse vërtet jemi për BE-në, atëherë duhet të sillemi si një vend që ka plan, ritëm dhe përgjegjësi. Nëse nuk jemi të gatshëm për këtë, atëherë së paku duhet të jemi të sinqertë me qytetarët dhe të mos u premtojmë përditë një rrugë që nuk po e ndërtojmë.
Vizita e Kostës nuk na tha diçka të re. Por ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse duhet të na shqetësojë më shumë. Sepse kur pas një viti dëgjon të njëjtin mesazh, kjo do të thotë se koha ka kaluar, por puna nuk është bërë. Dhe në politikë, koha e humbur nuk është vetëm vonesë administrative. Është humbje shprese, humbje besimi dhe humbje perspektive.
Në fund, integrimi evropian nuk është dhuratë që duhet ta presim nga Brukseli. Është punë që duhet ta bëjmë këtu. Por për ta bërë këtë punë duhet guxim politik, qartësi strategjike dhe ndershmëri ndaj qytetarëve. Pa këto, do të vazhdojmë të dëgjojmë të njëjtën fjali nga çdo mysafir evropian: ajo që është dakorduar duhet të përmbushet. Dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë sikur nuk kemi kuptuar.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.