Ahmeti kërkoi sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me lokalet

Ali Ahmeti kërkoi sërish mbrëmë zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale, duke shtrirë madje dorën e pajtimit mes shqiptarëve për konsensus politik. Në një aktivitet politik të premten theksoi se pret epilog pozitiv, ndërsa shtoi se jashtë trajtimit nuk do të lërë as komunitetet e vogla, transmeton Alsat-M.

“Sa më të unifikuar dhe sa më të etabluar të jenë partitë politike të kampit shqiptar, aq më të realizueshëm dhe më të suksesshëm do të jemi në garë – që do të bëhen në zgjedhjet lokale… Për BDI-në është më se e kapshme që në tetor të ketë edhe zgjedhje lokale edhe parlamentare. Mirëpo për të arritur që të realizohet kjo duhet të ketë konsensus politik, etnik… Pres epilog pozitiv”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nga ana tjetër, edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë, veçanërisht për organizimin për zgjedhjet e tetorit. Nuk pati njoftim për shtyp për vendimet e marra nga Kryesia, por u qartësua përfundimisht fryma e bashkëpunimit të gjerë, dhe jo ajo e deridjeshmja e daljes me lista të veçanta.

“Cili do të jetë qëllimi jonë për këto zgjedhje lokale. Padyshim që ajo do të jetë që ta kthejmë dinjitetin e votuesit shqiptar dhe të krijojmë një bashkëpunim më të gjerë i cili do të përfshijë, apo pse jo të quhet edhe iniciativë kombëtare për ta kthyer peshën e votuesit shqiptar këtu në Maqedoni”, tha Blerant Ramadani nga ASH-ja e Taravarit.

Nga Aleanca tjetër e Ziadin Selës nuk ka ende qëndrim zyrtar rreth ndarjeve dhe rolit të tyre në zgjedhje, por, siç u njoftua në opinion, formula mes Ahmetit, Taravarit dhe Selës ishte 10, 4, 3. Në negociata, Taravari është mbivendosur me një komunë më shumë, por jo aq sa pretendonte kur ishte në krahët e VLEN.

BDI do të dalë me kandidatin e vet në: Tetovë, Çair, Kërçovë, Bogovinë, Bërvenicë, Zhelinë, Studeniçan, Likovë, Dollnen, Pllasnicë dhe Çashkë.

ASH-ja e Selës do të ketë kandidatin e vet në: Strugë, Dibër dhe Haraçinë.

ASH-ja e Taravarit do të ketë kandidatin e vet në: Gostivar, Vrapçisht, Saraj dhe Tearcë.

Po ashtu, siç Alsat mëson jozyrtarisht se vetë krerët e Aleancave, Taravari e Sela pritet të garojnë në rajonet e tyre të njohura, Taravari për Gostivarin e Sela për Strugën. Kjo lëvizje i kushtoi BDI-së edhe dy të rinjtë, Valdet Xhaferin e Faton Pollozhanin si dhe besimin e komunave urbane kyçe, partnerëve Taravari e Sela. Nga i ashtuquajturi front kombëtar duket se janë shuar ëndrrat për Arjanit Hoxhën e PDE-së, Skender Rexhepi-Zejdin i Lëvizjes Populli, e aq më pak për kreun e PDSH-së Menduh Thaçi, që sipas informacioneve jozyrtare, do të ketë kandidat në Tetovë dhe rikthim në Studeniçan.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në tetor të këtij viti, ndërsa zgjedhjet e fundit të njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale.