Agjërimi është edukues dhe forcues i shpirtit të njeriut, për arsye se ai formon personalitete shpirtërisht të forta dhe të vendosura, me karakter të fortë dhe të vendosur. E bën të matur në qëndrimet e tij, të kuptueshëm në situata të ndryshme-qofshin ato pozitive apo negative. Dijetari i njohur gjerman, Gardeti, në shkrimet e tij mbi forcimin dhe formimin e vullnetit të fortë të njeriut si bazë e merr agjërimin dhe pohon se “agjërimi është mjet më efektiv dhe më aktiv në të vërtetuarit e fuqisë së shpirtit ndaj trupit, gjë që e bën njeriun sundues të vetvetes”. Duke u formuar si personalitet i këtillë, agjëruesi i hap dyert e shpirtit, e shijon ëmbëlsinë e ibadetit dhe afërsinë e Allahut (xh. sh.). Kurani famëlartë rrëfen për agjërimin e Musait (a. s.), të cilin Allahu (xh. sh.) para se të bisedojë me të e urdhëroi që të agjërojë tridhjetë ditë, e pastaj edhe dhjetë ditë të tjera, që t’i shërbejë si përgatitje shpirtërore për bisedë me Allahun (xh. sh.). Pra, agjërimi është mjet i bisedës shpirtërore dhe afrimit tek Allahu (xh. sh.). Për atë Allahu (xh. sh.), mbasi që i urdhëroi besimtarët që të agjërojnë, thotë:
”Dhe, kur të të pyesin robërit e mi për Mua, Unë jam me të vërtetë afër – i përgjigjem lutjes së lutësit kur më lutet.” /El Bekaretu: 186/
Agjërimi – mbrojtje dhe përtëritje e shëndetit të njeriut
Pa dyshim, agjërimi, si çdo obligim tjetër islam, kryhet për hir të Allahut (xh. sh.), por çdo obligim islam është bërë obligim dhe porosi hyjnore me qëllim të dobisë së njeriut, respektivisht për formimin e personalitetit të njeriut, me qëllim të aplikimit sa më të lartë të porosive hyjnore dhe sa më me sukses ta kryejë misionin e tij hyjnor në botë, me qëllim që të fitojë edhe botën tjetër, ahiretin. Andaj, edhe agjërimi është dydimensional, edhe atë: në dimensionin shpirtëror, që ka të bëjë me lidhëshmërinë e njeriut me Krijuesin dhe forcimin e marrëdhënieve të tij me Krijuesin, dhe dimensionin praktiko-fizik, që ka të bëjë me ndikimin e obligimeve dhe porosive në sferën fizike-praktike të njeriut, si dhe me krijimin e mënyrës së jetës në këtë botë.
Ekzistojnë të atillë të cilët, duke mos e njohur mirë institucionin e agjërimit, mundohen agjërimit t’ia ngjeshin një të pavërtetë, se gjoja sjell pasoja për shëndetin e agjëruesitt. Mirëpo, e vërteta është krejtësisht ndryshe, për arsye se konncepcioni islam mbi agjërimin është i qartë dhe shumë mirë i definuar. Për ata për të cilët dyshohet se mund të kenë pasoja në shëndetin e tyre, janë të lirë në haje dhe pije, sikurse: i çmenduri, fëmija, i sëmuri, udhëtari, femra shtatzënë, femra gjidhënëse, femra në ditët e menstruacionit (hajkd dhe nifas).
Për këtë shkak, i sëmuri prej ndonjë sëmundje të përkohshme, udhëtari, femra shtatzënë, femra me fëmijë për gjiri, femra në ditët e veta – hajd dhe nifas, pasi që të evitohet kjo gjendje tek ata/ato, e kanë për detyrë ta kompensojnë agjërimin ditë për ditë, ndërsa plaku i mbetur dhe i sëmuri prej ndonjë sëmundje që nuk ka shërim, nuk e kompensojnë, por ushqejnë një të varfër (dy ushqime mesatare), respektivisht e japin vlerën e një sadekatul fitrit-fidje.
Pra, agjërimi është më se i dobishëm për shëndetin e njeriut. Allahu (xh. sh.) në Kuranin famëlartë thotë:
“…Por, të agjëroni është më mirë, ta dini.” /El Bekaretu:184/ Pastaj: ”…Allahu ju dëshiron lehtësim, e nuk ju dëshiron vështirësi…” /El Bekaretu: 185/
I dërguari i Allahut, Muhamedi (a. s.), në fjalët e tij në lidhje me agjërimin thotë:
“Agjëroni, të bëheni të shëndoshë.” /Transmeton Taberaniu/
“Çdo gjë ka pastrim, e pastrimi i trupit është agjërimi.” /Transmeton Buhariu/
Fjalët e lartpëmendura tregojnë konceptin se agjërimi është i dobishëm edhe për organizmin e njeriut, edhe për shëndetin e tij, dhe në këtë mënyrë e provokon shkencën, medicinën në veçanti, që ta hulumtojnë këtë fenomen.
Medicina bashkëkohore me gjurmimet e saj të gjera dhe të thella, tashmë ka vërtetuar se agjërimi paraqet mbrojtje dhe ripërtëritje të organizmit të njeriut dhe shpeshherë mjekët e njohur atë e kanë emëruar “shkopth magjik, që me një shpejtësi të madhe i shëron sëmundjet që i sjell lukthi” /Mek Fedon/ dhe në të njëjtën kohë paraqet “operacion pa thikë” /Dr Ridlin/.
Përveç kësaj, duke u njohur rëndësia e agjërimit në këtë fushë, sot në botën e zhvilluar, sikurse në SHBA, Gjermani, Zvicër, Angli, Suedi, Itali dhe shumë vende të tjera ekzistojnë klinika të specializuara, ku me ndihmën e llojeve dhe mënyrave të ndryshme të agjërimit shërohen sëmundje të ndryshme, si: sëmundjet psikike – duke stabilizuar sistemin nervor, sëmundjet e lëkurës – duke normalizuar materiet e tepërta kimike; normalizon shtypjen e gjakut, shëron reumën, sëmundjet e stomakut, zorrët, veshkat, lehtëson frymëmarrjen, mënjanon dhjamin dhe pakëson peshën trupore dhe në tërësi zhduk mbeturinat e dëmshme të ushqimit në trupin e njeriut etj. E gjithë kjo na jep të kuptojmë rëndësinë e agjërimit edhe në aspektin shëndetësor të njeriut.