Agjenda e Selanikut 20 vjet më vonë, në hije të pritshmërive të papërmbushura, Maqedonia mbetet pas

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Agjenda e Selanikut u njoftua si një kthesë në politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Me dokumentet që e përbëjnë atë: Deklarata e Selanikut në Samitin e Kryetarëve të Shteteve të BE-së – Ballkani Perëndimor dhe Përfundimet e Këshillit të BE-së me aneksin “Agjenda e Selanikut për Ballkanin Perëndimor – ecja para drejt integrimit evropian”, ajo vërtetë dhe më konkretisht deri më atë kohë e hapi perspektivën për anëtarësim të vendeve të rajonit në BE. Për hir të së vërtetës, edhe atëkohë pritshmëritë ishin shumë më të larta se rezultati përfundimtar, i cili ishte një kompromis evident edhe në vetë titullin e dokumenteve.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Të rikujtojmë shkurtimisht konstelacionin që e bëri të mundur Agjendën e Selanikut:

Në BE po përfundohej zgjerimi i madh drejt kandidatëve lindorë, që u bë në vitin 2004 dhe 2007 .
Në rajon ndryshuan regjimet autoritare në ish RS të Jugosllavisë dhe në Kroaci.
Në Maqedoni me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit u stabilizua gjendja e sigurisë.
Mali i Zi dhe Kosova ende nuk kishin shpallur pavarësi, ndërsa për Bosnjën dhe Hercegovinën pas Dejtonit, integrimi në BE pritej të ishte një spirancë edhe për integrimin e brendshëm.
Greqia, fqinji i afërt me mandatin më të gjatë në BE, luajti një rol pozitiv si kryesues i BE-së, duke i dhënë përparësi procesit të zgjerimit për vendet e rajonit dhe duke u përpjekur të promovohej si mbrojtës i rëndësishëm i tij.

Nga ana tjetër, për herë të parë zëri i rajonit u bashkua dhe kryetarët e shteteve/qeverive i vendosën qartë dhe bashkërisht kërkesat e tyre për anëtarësim në BE – diçka që ndoshta atëkohë ndodhi për herë të fundit.

Cilat ishin postulatet kryesore të Agjendës së Selanikut:

  1. Hapja e qartë e perspektivës për anëtarësim në nivelin më të lartë (edhe pse formulime të ngjashme kishte tashmë në dokumentet e Këshillit Evropian që nga viti 2000);
  2. Lidhja e perspektivës për anëtarësim me respektimin e vlerave themelore të BE-së nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe me bashkëpunimin rajonal;
  3. Procesi i Stabilizim Asociimit (PSA) do të jetë korniza e procesit të integrimit deri në anëtarësimin në BE;
  4. Angazhimi për stabilizimin e sigurisë, kthimin e refugjatëve dhe përfundimi i ndarjeve mbi bazë etnike;
  5. Prioritizimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;
    Fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave;
  6. Angazhimi për ekonominë e tregut, reformat strukturore, mbështetja e BE-së për zhvillimin e rrjeteve dhe infrastrukturës.

Për ta mbështetur realizimin e këtyre parimeve dhe qëllimeve të Agjendës, u prezantuan më shumë instrumente sipas shembullit të instrumenteve të zgjerimit paraprak, në kombinim me procesin e Stabilizim-Asociimit.

Takimet e rregullta vjetore të nivelit më të lartë, si dhe takimet në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme u bënë traditë. Shtetet e PSA filluan t’u përmbahen qëndrimeve të përbashkëta të BE-së në Politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

U avancua procesi i monitorimit dhe vlerësimit përmes raporteve vjetore sipas modelit për kandidatët lindorë dhe u prezantuan partneritetet evropiane (në ndërkohë të braktisura) si një dokument i cili duhet t’i udhëheqë reformat. U prezantua dialogu i rregullt ekonomik.

Nuk u dha mbështetje financiare për anëtarësim e ngjashme si ajo e kandidatëve paraprak, por së pari u avancua CARDS, e pastaj u prezantua një instrument i ri – IPA. Ai, ndër të tjera, duhej të mundësonte marrje graduale të përgjegjësisë për ndihmën financiare për shtetet përfituese, por ky proces stagnoi. Nuk kishte një rritje të ndjeshme të ndihmës financiare. U prezantuan forma të asistencës teknike paraprakisht të përdorura për kandidatët lindorë si TWINING dhe TAIEX.

Që atëkohë u hapën programet e Komunitetit për vendet e PSA-së, si dhe qasja në disa agjenci – jo, siç pretendohet tani, se ajo është një përfitim i “fillimit të negociatave”.

Iu dha prioritet bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. U hap dialogu për procesin e liberalizimit të vizave.

Vëmendje domethënëse iu kushtua bashkëpunimit rajonal, i cili më vonë rezultoi me krijimin e Këshillit Rajonal. Në atë kohë përparësi iu dha zhvillimit të tregtisë së lirë rajonale, regjimit pa viza në rajon, grumbullimit të armëve të vogla, tregut rajonal të energjisë elektrike dhe gazit, menaxhimit të ujërave, bashkëpunimit ndërkufitar, bashkëpunimit rajonal në shkencë dhe TI, si dhe zhvillimit të bashkëpunimit të komisioneve për çështje evropiane të parlamenteve.

Këshilli i BE-së Bashkimi Evropian BE Eurointegrime. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Këshilli i BE-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

 

Megjithatë, t’i kthehemi çështjes kryesore:

Nëse duhet të jemi të kënaqur sepse nuk jemi kthyer në atë situatën politike dhe të sigurisë përpara Agjendës së Selanikut – kjo është shumë pak, sidomos sepse pavarësisht angazhimit nga ana e BE-së ende janë “aktive” vatrat e krizës. Ndarjet për kah përkatësia etnike mbeten karakteristikë rajonale, por edhe karakteristikë brenda shumicës së shteteve në rajon, për fat të keq – e theksuar nga fqinjët e vjetër dhe të rinj anëtarë të BE-së.

Perspektiva për anëtarësim në BE deri më tani është treguar e hapur vetëm për Kroacinë, e cila me patronazh strategjik, u tërhoq shpejt nga grupi i Ballkanit Perëndimor dhe u bë anëtare e BE-së një dekadë pas Agjendës së Selanikut. Dy shtete – Serbia dhe Mali i Zi (që fitoi pavarësinë pas Agjendës së Selanikut) filluan negociatat, por dinamika e ngadaltë tashmë është kthyer në stagnacion. Shqipëria është në fillim të negociatave. Maqedonia, e cila atëkohë kryesonte në PSA, e përballur me bllokadat nga Greqia dhe Bullgaria dhe krizat e brendshme, është ende “në fazën fillestare të negociatave”.
Bosnja dhe Hercegovina mori statusin e kandidatit falë kritereve të ulura për Ukrainën, ndërkohë që Kosova me shpalljen e pavarësisë parashtroi kërkesë, e cila është nën hijen e krizës në veri të Kosovës.

Rajoni nuk po e përshpejton konvergjencën ekonomike me BE-në.

Në vend që procesi i stabilizimit dhe asociimit të jetë e vetmja rrugë drejt anëtarësimit, kërkohen metoda dhe alternativa të reja për anëtarësim.

Bashkëpunimi rajonal zhvillohet me hapa të ngadaltë dhe aspak nuk ka potencial, as në atë ekonomik, as politik, ta zëvendësojë integrimin në BE.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni (vetëm se me një radhitje tjetër) janë më aktuale se kurrë më parë.

Liberalizimi i vizave është një nga përfitimet, por ai jo domosdoshmërisht duhet të lidhet me perspektivën për anëtarësim në BE. Megjithatë, vetë procesi është dëshmi se kur vendoset një qëllim dhe kushte të qarta – ka rezultate.

Ajo që është më shqetësuese është humbja e besueshmërisë dhe fuqisë transformuese të Unionit. Ndoshta nuk duhet të jetë ndonjë befasi nëse e krahasoni atë që u premtua dhe çfarë u arrit – nga të dyja anët.

 

Geer: Partitë politike duhet të kapërcejnë ndarjet, ndërsa çështjen e hyrjes në BE ta bëjë projekt kombëtar