Sveçla: Policia e Kosovës parandalon sulm terrorist

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar se njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës kanë gjetur një sasi të madhe të armatimeve në Zveçan. Sveçla ka theksuar se ato janë gjetur në “një veturë me targa të Beogradit” dhe “rreth 100 metra larg Komunës së Zveçanit”, transmeton REL.

Ai ka theksuar se ne veturë janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve shpërthyese, municione të ndryshme, granatahedhës dore, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla në Facebook.

Sipas tij, Policia e Kosovës bashkë me të gjitha organet tjera të sigurisë, vazhdojnë angazhimet e tyre në parandalimit e çdo akti të mundshëm që synon cenimin e sigurisë së Kosovës.

Siç ka theksuar ai, institucionet e sigurisë së Kosovës, kanë dhënë informacione se gjatë javëve të fundit, janë futur nga Serbia në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.

Javët e fundit tensionet në veri të Kosovës janë shtuar. Ato nisën më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e policisë.

Që atëherë serbët vazhdimisht kanë protestuar. Protestat u përshkallëzuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarët e KFOR-it. Nga përleshjet, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.

Tensionet u përkeqësuan edhe më shumë më 14 qershor, kur forcat serbe arrestuan tre policë të Kosovës. Serbia thotë se arrestimi u krye “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova thotë se ata u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.

Kosova dhe faktori ndërkombëtar kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve.

Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ftoi në takim më 22 qershor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata u tha se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Borrell, ka thënë të premten se “pavarësisht takimeve të mbajtura” në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq, “përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm” në veri të Kosovës. Ai ka shtuar se BE-ja nuk do ta tolerojë këtë.