A mund të dështojnë zgjedhjet e ardhshme lokale në Maqedoninë e Veriut?

Në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se Qeveria mund të emërojë komisionarë, nëse zgjedhjet lokale nuk japin rezultat. Kjo mund të ndodhë sidomos në komunat e vogla, ku ka pak votues ose shumë njerëz janë larguar jashtë vendit, thonë analistët, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Nëse as pas rundit të dytë të zgjedhjeve nuk zgjidhet kryetari i një komune, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoninë e Veriut duhet ta njoftojë Qeverinë e vendit.

Në atë rast, brenda 15 ditësh, Qeveria do të emëronte një komisionar, që do t’i kishte të gjitha kompetencat e kryetarit të komunës.

Pastaj, Qeveria do ta njoftonte Kuvendin, i cili, brenda 60 ditësh, do të shpallte zgjedhje të reja në atë komunë.

E gjithë kjo është e rregulluar kështu me nenin 134 të Kodit Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhja e komisionarit nuk ka kritere të veçanta, por zakonisht ai zgjidhet nga komuna ku jeton. Dhe, mandati i tij është i përkohshëm, derisa të zhvillohen zgjedhjet e reja.

Njoftimi i Mickoskit pasoi vendimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për të lehtësuar pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur, me vetëm dy nënshkrime, në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.

Kjo ngriti shqetësime se fleta e votimit mund të bëhet shumë e gjatë dhe e ngatërruar.

“Çdo gjë është e mundur. Fleta e votimit mund të jetë 7-8 metra e gjatë, për të penguar qytetarët që të dalin. Por, dua të paralajmëroj se sipas Kushtetutës dhe ligjit, nëse zgjedhjet nuk janë të suksesshme, Qeveria emëron komisionarë”, tha Mickoski.

Si zgjidhen kryetarët e komunave dhe këshilltarët në Maqedoninë e Veriut?

Për të zgjedhur kryetarin e komunës në rundin e parë, duhet të votojë së paku një e treta e votuesve të regjistruar.

Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën e nevojshme, rundi i dytë zhvillohet mes dy kandidatëve më të votuar në rundin e parë. Kandidati që fiton më shumë vota në rundin e dytë, zgjidhet kryetar.

Nëse as pas rundit të dytë nuk zgjidhet kryetari, KSHZ-ja e njofton Qeverinë dhe Qeveria ndërhyn sipas ligjit.

Për zgjedhjen e këshilltarëve nuk kërkohet pjesëmarrje minimale. Ulëset në këshill ndahen sipas numrit të votave që merr secila listë kandidatësh.

Analistët politikë paralajmërojnë se zgjedhjet për kryetarë komunash në Maqedoninë e Veriut mund të dështojnë në disa komuna më të vogla – sidomos në ato që janë më të prekura nga emigracioni.

Kriteret për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhje duhej të përcaktoheshin përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thirri një seancë të jashtëzakonshme më 16 gusht, por propozimi nuk u miratua. Kuvendi pritet të mbajë edhe dy seanca para nisjes së fushatës për zgjedhjet lokale – më 2 dhe më 12 shtator.

Në vitin 2021, dy komuna në Maqedoninë e Veriut – Mavrovë-Rostushë dhe Qendra Zhupa – mbetën pa kryetarë komune dhe u drejtuan përkohësisht nga përfaqësues të emëruar nga Qeveria. Në rundin e parë, zgjedhjet nuk u zhvilluan me sukses, sepse në votime morën pjesë vetëm rreth 25 për qind e qytetarëve – shumë më pak se pragu i kërkuar. Në rundin e dytë, në Mavrovë-Rostushë, kandidati u tërhoq, ndërsa në Qendrën Zhupë përsëri nuk u arrit numri i nevojshëm i votuesve.

Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.