Ndryshimi i numrit të këshilltarëve komunal në RMV, Shehu ka ngritur padi në Gjykatën Administrative kundër KSHZ-së
Anëtarja e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Ditmire Shehu për MIA-n konfirmoi se sot ka ngritur padi në Gjykatën Administrative në lidhje me udhëzimin që e votoi KSHZ-ja për numrin e këshilltarëve komunalë.
Kjo padi vjen pasi Qeveria e dërgoi vendimin për numrin e këshilltarëve në KSHZ, edhe pse kjo çështje është rregulluar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Si rezultat i kësaj, në 14 komuna do të zvogëlohet numri i këshilltarëve.
Shehu fillimisht kërkoi në seancë që udhëzimi të miratohet me konsensus, duke iu referuar dispozitave të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që në atë kohë ajo ishte e vetmja që u deklarua kundër këtij vendimi, i cili megjithatë u miratua me pesë vota “pro” dhe një “kundër”. Gjykata Administrative duhet t’i përgjigjet Shehut brenda 48 orëve më së voni.
Vendimi i Qeverisë, nga ana tjetër, rezultoi nga Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2021. Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria vendosi të rrisë numrin e këshilltarëve komunalë në Kisella Vodë, Karposh dhe Studeniçan dhe të zvogëlojë numrin e këshilltarëve në 14 komuna, duke përfshirë Gostivarin, Kërçovën, Kratovën, Kriva Palankën, Kumanovën, Pehçevën, Strugën, Vrapçishtin, Debarcën, Zhelinën, Jegunovcën, Novo Sellën, Tearcën dhe Qendër Zhupa.. Komuna e Gostivarit do të pësojë zvogëlimin më të madh, ku nga 31 këshilltarë, numri u ul në 23. Sipas regjistrimit të vitit 2002, Komuna e Gostivarit kishte 80 mijë banorë, por në vitin 2021 numri u ul në 60 mijë banorë si rezultat i ndarjes së popullsisë rezidente dhe jorezidente.
Kundër vendimti të KSHZ-së, ankesë deri te Gjykata Kushtetuese paralajmëruan edhe nga BDI-ja opozitare. Sipas tyre, vendimi është jokushtetues, ndërsa qëllimi është majorizimi etnik dhe përjashtimi i shqiptarëve nga vendimmarrja. Ndërkohë, nga VLEN theksojnë se BDI-ja është arsyeja kryesore për këto, siç thonë, padrejtësi pasi lejoi ndarjen e qytetarëve në rezidentë dhe jorezidentë në regjistrimin e vitit 2021.
Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve më 22 gusht miratoi Udhëzimin për plotësimin e formularit të listave për kandidatët për anëtarë të këshillave të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, me 5 vota për dhe 1 kundër. Partitë opozitare shqiptare kanë reaguar kundër këtyre ndryshimeve.
Kujtojmë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi më 9 gusht i shpalli zgjedhjet lokale. Raundi i parë i votimit për kryetarë të komunave do të mbahet më 19 tetor, kur do të votohet edhe për lista të këshilltarëve. Raund të dytë për kryetarë të komunave do të ketë më 2 nëntor.