A do të ndodh normalizimi i raporteve Prishtinë -Beograd nën presidencën e dytë të Trump-it?
Pavarësisht pozicionit të SHBA-së dhe rënies së fuqisë në politikën ndërkombëtare, Uashingtoni duket se po zhvillon aktivitete jashtë organizatave të zakonshme ndërkombëtare të krijuara pas Luftës së Dytë Botërore (LDB). Rrjedhimisht SHBA-të mund të arrijnë diçka të mirë në rajone të caktuara të botës si: përpjekjet për rindërtimin e Gazës, stabilizimi i rajonit të Ballkanit etj. Në takimin e “Bordit të Paqes”, në Uashington, presidenti i SHBA-së Donald Trump duke ju referuar problemit në mes Beogradit dhe Prishtinës ju drejtua presidentes Vjosa Osmani me fjalët: “Nëse nuk ia dilni, më thirrni dhe do ta zgjidhim.”
Presidentja Vjosa Osmani pas takimit me zv. sekretarin e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, në Uashington tha: “Shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për ligjin e sapo nënshkruar nga presidenti Trump, i cili thotë shprehimisht se nuk do të ketë ndarje, duke mbrojtur kështu sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit tonë. Dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohjen reciproke dhe mbështet anëtarësimin tonë në NATO.”
E ngarkuara me punë e SHBA-së, Anu Prattipati, u takua po ashtu në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, për të diskutuar forcimin e lidhjeve diplomatike SHBA-Kosovë. “Ne presim me padurim bashkëpunimin e vazhdueshëm me ministrinë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë, stabilitetin rajonal dhe diplomacinë tregtare.”
Sekretari i Departamentit të Shtetit Marco Rubio ndër të tjera tha se presidenti Trump ka aftësinë ashtu edhe gatishmërinë për të përdorur pushtetin e zyrës së tij për të menduar “jashtë kutisë”.
Shanset për të bërë diçka në këtë drejtim janë shumë të larta, pasi presidenti Trump mund të bëjë presion mbi Beogradin dhe Prishtinën të arrijnë njëfarë marrëveshjeje. Por kjo do të varet edhe nga siguria ndërkombëtare dhe nga mënyra se sa Kosova do të jetë e interesuar të bëjë më shumë duke detyruar dhe Serbinë të bëjë kompromise. “U takova me presidenten Vjosa Osmani dhe e falënderova atë dhe popullin e Kosovës për angazhimin e tyre ndaj paqes dhe stabilitetit duke qenë anëtare themeluese e “Bordit të Paqes.” Gjithashtu falënderova presidenten Osmani për kontributet e saj në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.” njoftoi në X, Sekretari i Departamentit të Shtetit Marco Rubio pas takimit me presidenten Vjosa Osmani. Gjatë takimit të “Bordit të Paqes” në Uashington nuk kishte përfaqësues nga shtetet më të fuqishme evropiane.
Koha mund të jetë tani nëse shfrytëzohen mirë të gjitha mundësisë, pasi admnistrata e presidentit Donald Trump po përdor mjete të diplomacisë jo tradicionale. Andaj në këtë rast për Kosovën dhe Serbinë mund të jetë moment i duhur, shfrytëzimi i atmosferës në Uashington.
Kosova ka gjasa maksimale të përfitojë nga atmosfera në Uashington nën administratën e Trump-it. Se a do ta shfrytëzojë këtë moment politika kosovare, mbetet të shihet.