A do të ketë protesta nga Fronti Europian? Aziri: Do t’i përdorim të gjitha mjetet që na i lejon ligji për të mbrojtur legjitimitetin
Deputeti i Frontit Evropian Elmi Aziri tregoi për fushatën “A jeni gati” se çfarë veprime do të ndërmerren. Aziri tha se do t’i përmendin të gjitha dështimet e Qeverisë në 100 ditë qeverisje dhe do të vendoset për veprimet e mëtutjeshme. I pyetur nëse do të ketë protesta, Aziri tha se ende nuk është vendosur diçka e tillë por, siç tha, do t’i përdorin të gjitha mjetet që ua lejon ligji për të mbrojtur legjitimitetin, transmeton TV21.
“Nuk bisedohet për destabilizim përpos se në kokën e tyre. Absolutisht se shqiptarët nuk kanë nevojë e as nuk e kanë luksin për të destabilizuar. Shqiptarët kanë nevojë për qetësi, kushte më të mira të jetesës, demokraci, demokraci e cila po suspendohet në mënyrë arbitrare megjithatë, ne do t’i përdorim të gjitha instrumentet demokratike, ligjore që i lejon edhe ligji edhe kushtetuta, për ta mbrojtur të drejtën tonë për t’u organizuar politikisht dhe për ta mbrojtur të drejtën tonë që shqiptarët të vendosin vet se kush i përfaqëson në institucione Unë nuk mund në këtë moment ta konfirmoj një gjë të tillë sepse nuk ka ndonjë vendim por e thash se, të gjitha ato që na i lejon ligji ose kushtetuta ne do t’i shfrytëzojmë për realizimin e objektivit tonë madhor, legjitimitetin”, tha Elmi Aziri.
Nesër me fillim në ora 12:00 Fronti Evropian do të mblidhet në Shkup për të shënuar siç thonë “100 ditë dështime, skandale, nënçmime“.
Fronti Evropian që nga formimi i qeverisë kanë këmbëngulur se koalicioni VLEN nuk ka legjitimitet për t’i përfaqësuar shqiptarët. Ky koalicion disa herë ka thënë se do të marrin të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur legjitimitetin, që siç thonë populli ua ka dhënë atyre.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 8 maj, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.
Qeveria aktuale e Maqedonisë së Veriut u votua nga deputetët më 23 qershor të këtij viti në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski. Kjo Qeveri përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja me partnerët koalicionues – koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.