Rrugët pranë shkollave në Çair pa sinjalistikë, nxënësit të rrezikuar (VIDEO)

Pranë disa shkollave në Çair të Shkupit mungon sinjalistika bazë rrugore, ndërsa prindërit thonë se kjo i shqetëson dhe është një nga arsyet pse kanë frikë t’i lënë fëmijët të shkojnë vetë në shkollë. Për këtë problem, këshilltari i AKI-së në Qytetin e Shkupit, Daim Luçi, kërkon zgjidhje, ndërsa këshilltari i VLEN-it, Zekerija Berisha, thotë se në disa lokacione tashmë ka pasur ndërhyrje, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk doli në terren për të parë nga afër gjendjen pranë shkollave në Çair. Në rrugët afër shkollave fillore “Liria” dhe “Ismail Qemali”, të cilat i vizituam, mungojnë shenjat që paralajmërojnë praninë e shkollës, kufizimet e shpejtësisë dhe vendkalimet e shënuara për këmbësorë. Në këto zona, rrugët janë të frekuentuara nga automjete të shuma, ndërsa mungesa e vijave të bardha dhe e sinjalizimit të dukshëm nuk u jep shoferëve një paralajmërim të qartë se ndodhen pranë një shkolle.

Gjatë qëndrimit në terren, në shkollën fillore “Ismail Qemali” hasëm edhe prindër që shoqëronin fëmijët e tyre për në shkollë. Edhe pse nuk pranuan të flasin para kamerës, ata thanë se gjendja në rrugët pranë shkollave është shqetësuese. Sipas tyre, mungesa e masave bazë të sigurisë në komunikacion është një nga arsyet pse kanë frikë t’i lënë fëmijët të shkojnë vetë në shkollë.

Meqë rrugët pranë të cilave ndodhen shkollat “Liria” dhe “Ismail Qemali” janë nën kompetencën e Qytetit të Shkupit, Portalb.mk kërkoi sqarim nga këtu se çfarë masash janë ndërmarrë për përmirësimin e këtyre rrugëve dhe sigurisë së nxënësve, por edhe se çfarë është bërë apo planifikohet të bëhet në rrugët e tjera pranë shkollave në Çair që janë nën kompetencën e Qytetit.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se po punohet në përmirësimin e sinjalizimit pranë shkollave dhe se një pjesë e vendkalimeve për këmbësorë tashmë janë rinovuar, ndërsa të tjerat pritet të rinovohen në ditët në vijim.

“Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për çështje me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë e nxënësve, ndërmerren masat përkatëse. Një pjesë e vendkalimeve për këmbësorë para shkollave të mesme tashmë janë rinovuar, ndërsa një pjesë do të rinovohen në ditët në vijim”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Shqetësimi është veçanërisht i madh pranë shkollave që ndodhen përgjatë rrugëve më të frekuentuara, ku nxënësit duhet të kalojnë çdo ditë për të arritur në shkollë.

AKI kërkon zgjidhje, VLEN: Po punohet

Këshilltari i AKI-së në Qytetin e Shkupit, Daim Luçi, thotë se gjendja është veçanërisht shqetësuese pranë shkollave “Liria” dhe “Ismail Qemali” në Çair, ku nxënësit kalojnë çdo ditë në këto rrugë me qarkullim të dendur.

“Siç e shikoni, këtu nuk ekzistojnë as kushtet minimale, për të mos thënë aspak, për të treguar se në këtë zonë duhet të kenë kujdes shoferët në komunikacion, pasi këtu është edhe bulevard dhe automjetet frekuentojnë shpejt dhe kemi të bëjmë me nxënës të cilët vazhdimisht e qarkullojnë këtë rrugë këtu. I njëjti problem si te kjo shkollë është edhe te shkolla fillore “Ismail Qemali”, janë problemet e njëjta”, tha Luçi.

Sipas tij, për përmirësimin e sinjalizimit është dorëzuar kërkesë te Qyteti i Shkupit, ndërsa është kërkuar ndërhyrje edhe në shkollat që ndodhen në zona nën kompetencën e komunave.

Në anën tjetër, këshilltari i VLEN-it, Zekerija Berisha, pjesë e shumicës në Qytetin e Shkupit, thotë se në disa lokacione tashmë është ndërhyrë në ripërtëritjen e sinjalizimit horizontal dhe vertikal, ndërsa në të tjera pritet të punohet së shpejti.

“Kontrolli në terren është bërë në lidhje me ripërtëritjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Në afërsi të disa shkollave në kuadër të Qytetit veçmë është intervenuar në ripërtëritje, në disa të tjera planifikimi është që të intervenohet sa më shpejt”, deklaroi Berisha.

4 nga 10 shkolla fillore në Çair ndodhen në rrugë nën kompetencën e Qytetit të Shkupit

Nga 10 shkollat fillore në territorin e Komunës së Çairit, katër (“Liria”, “Ismail Qemali”, “Vasil Gllavinov” dhe “Tefejuz”), ndodhen në rrugë ku Qyteti i Shkupit ka kompetenca për ndërhyrje në infrastrukturën dhe sinjalizimin rrugor. Në territorin e Çairit ndodhet edhe shkolla e mesme “Cvetan Dimov”, e cila është nën kompetencën e Qytetit të Shkupit. Shkolla ndodhet në rrugën “John Kennedy”, e cila po ashtu është pjesë e rrugëve nën kompetencën e Qytetit të Shkupit. Shkollat fillore janë nën kompetencën e Komunës së Çairit, ndërsa përgjegjësia për rrugët ndryshon në varësi të kategorisë së tyre. Kjo ndarje përcakton edhe se cili institucion është përgjegjës për ndërhyrjet në infrastrukturën dhe sinjalizimin rrugor pranë shkollave.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut po përballet edhe me fenomenin e emigrimit, ndërsa shkollat në vend po përballen me një rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve. Në disa zona, shkollat po zbrazen gradualisht, si pasojë e largimit të familjeve dhe rënies së numrit të fëmijëve. Ky fenomen është veçanërisht i dukshëm në zonat ku numri i banorëve të rinj është në rënie, duke bërë që disa shkolla të funksionojnë me gjithnjë e më pak nxënës dhe, në raste të caktuara, të rrezikojnë të mbeten me klasa shumë të vogla ose të bashkojnë paralele.