Reklamimi politik të mos jetë barrë e shtetit, propozim në Kodin Zgjedhor

Në Maqedoninë e Veriut pritet që në pjesën e parë të vitit 2024 të ketë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, ndërkohë Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur ndryshimet në Kodin Zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

“Grupin e  punës  që e ka formuar Ministria e Drejtësisë, i ka përgatitur ndryshimet e Kodit Zgjedhor në të cilin janë inkorporuar rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, mbështet propozimin e grupit të punës, që reklamimi i paguar politik  të mos jetë më barrë e shtetit”, sqaroi Ministria.

Ministria premtoi që ky version i punës do të dërgohet te të gjithë partitë politike parlamentare, ndërsa përgjegjës për miratimin dhe përmbajtjen e Kodit Zgjedhor do ta kenë deputetët.

“Propozimi i Kodit Zgjedhor përmban 58 nene që do të kontribuojnë në forcimin e rolit të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e dispozitave të këtij Kodi”, vlerësojnë nga Ministria.

Ndryshe, më 13 mars, ambasadori holandez Jan Kop, gjatë një takimi me ministrin e Drejtësisë, Krenar Lloga, ka shprehur interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri Zgjedhor.

Ndryshe, kohë më parë Pavle Trajanov, ua ka dorëzuar deputetëve propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me qëllim që të tregojnë qëndrimet dhe sugjerimet e tyre. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputetë secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do t’i jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.