78 përqind e doktorëve në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës në vendin e punës

Sipas një ankete të Odës së Mjekëve, 78 për qind e mjekëve në Maqedoninë e Veriut kanë qenë të ekspozuar ndaj ndonjë lloji dhune, prej të cilëve 80 përqind ndaj dhunës verbale dhe 6,8 përqind ndaj dhunës fizike, raporton Portalb.mk.

Kryetarja e Odës, Kalina Grivçeva Stardellova, vlerësoi se kur një mjek sulmohet verbalisht, fizikisht apo përmes rrjeteve sociale, nuk vuan vetëm individi, por i gjithë sistemi dhe pacientët që presin ndihmë.

“Ne mjekët nuk jemi armiqtë tuaj, përkundrazi, mjeku është ai që lufton për jetën tuaj, në kushte të ndryshme. Dhuna dhe agresioni nuk janë zgjidhje për mangësitë sistemore”, deklaroi Grivçeva Stardellova.

Pavarësisht ndryshimeve në Kodin Penal në vitin 2023, me të cilat sulmi ndaj personelit mjekësor trajtohet si sulm ndaj personit zyrtar, rezultatet e pritura mungojnë, pasi pothuajse 70 përqind e sulmeve nuk raportohen fare për shkak të procedurave të ndërlikuara ose perceptimit të mjekëve se kjo është pjesë e punës së tyre.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, sipas Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore, vitin e kaluar janë paraqitur dy kallëzime penale për veprën “sulm ndaj punonjësit shëndetësor dhe bashkëpunëtorit shëndetësor gjatë kryerjes së veprimtarisë shëndetësore”, për të cilat janë raportuar tre autorë. Një rast ka ndodhur në Shkup, për të cilin janë paraqitur dy autorë, ndërsa një rast tjetër në Shtip.

Kadri Haxhihamza, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Dhomës, si psikiatër paralajmëron për seriozitetin e pasojave që sulmet kanë te mjekët.

“Pasojat e dhunës ndaj mjekëve janë serioze dhe përfshijnë stres psikologjik, ankth dhe ‘burnout’, gjë që i detyron shumë prej tyre të mendojnë për largimin nga profesioni ose emigrimin jashtë vendit, duke e dobësuar më tej sistemin shëndetësor. Për të parandaluar këto dukuri, është e domosdoshme që institucionet shëndetësore të vendosin masa më të mira sigurie, si sigurim fizik dhe video-mbikëqyrje, por edhe të punohet për përmirësimin e komunikimit mes mjekëve dhe pacientëve dhe për edukimin e pacientëve”, theksoi Haxhihamza.

Oda e Mjekëve këmbëngul në zgjidhje të shpejtë institucionale për çdo incident dhe ndalimin e linçimit digjital ndaj mjekëve, duke apeluar njëkohësisht për përmirësimin e kushteve të punës përmes rritjes së numrit të stafit dhe organizimit më të mirë.

Masat më të mira të sigurisë, sipas anëtarëve të Odës së Mjekëve, duhet të përfshijnë prani më të madhe të sigurimit, sisteme video-mbikëqyrjeje dhe protokolle të qarta për reagim në rast agresioni. Po ashtu, duhet të punohet për përmirësimin e komunikimit ndërmjet mjekëve dhe pacientëve.

“Kur pacientët janë të informuar mirë për gjendjen e tyre dhe për procesin e trajtimit, niveli i mosbesimit dhe frustrimit zvogëlohet. Në edukimin e mjekëve duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje zhvillimit të aftësive komunikuese. Gjithashtu, nevojiten edhe fushata publike edukative për pacientët, të cilat do të rrisin ndërgjegjësimin për nevojën e respektit ndaj punonjësve shëndetësorë dhe do të kontribuojnë në krijimin e një kulture të respektit të ndërsjellë”, thonë nga Oda.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, nga ana tjetër tha se planifikohet që në të gjitha institucionet shëndetësore të vendoset një buton paniku, i cili do të lidhet me sistemin dhe përmes të cilit, në rast dhune ndaj një punonjësi shëndetësor, do të mund të jepet alarmi, përkatësisht institucionet kompetente do të njoftohen më shpejt.

“Për ne si ministri është e rëndësishme që me sukses po zbatohen ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat dhuna ndaj një punonjësi shëndetësor gjatë kryerjes së detyrave profesionale konsiderohet si dhunë ndaj personit zyrtar dhe përbën vepër penale për të cilën parashihet dënim me burg. Këtu është veçanërisht i rëndësishëm roli i Odës së Mjekëve, e cila ndjek në mënyrë aktive veprimet e institucioneve kompetente dhe propozon masa dhe politika për luftimin e dhunës në shëndetësi. Çdo formë dhune ndaj një punonjësi shëndetësor duhet të raportohet menjëherë, pasi bëhet fjalë për vepër penale”, tha Aliu.

Sipas tij, për sistemin shëndetësor është thelbësore që të punësuarit të ndihen të sigurt në vendet e tyre të punës, në mënyrë që të mund të ofrojnë mbrojtje dhe kujdes më të mirë shëndetësor për pacientët.