Stop ‘Usjes’: Aksion gueril para Ministrisë së Mjedisit Jetësor
Nisma “Stop për Usjen” përmes një aksioni gueril para Ministrisë së Mjedisit dërgoi mesazhin se do ta ndjekë nga afër procesin për vazhdimin e lejes ekologjike të çimentores ‘Usje’, transmeton Portalb.mk.
Ata theksuan se gjatë dhënies së lejes duhet të merren parasysh edhe kërkesat e tyre të deritanishme, përkatësisht të vendosen kufij të qartë për publikimin transparent të rezultateve nga matjet e cilësisë së ajrit.
Meri Bakallova nga nisma “Stop Usjes” tha se qëllimi i aksionit është t’u dërgohet mesazh institucioneve se debati publik duhet patjetër të organizohet dhe të merren parasysh të gjitha vërejtjet e tyre.
“Ajo që kërkojmë në këtë leje të re të integruar A është që ajo të harmonizohet me rregulloret evropiane dhe me standardet e OBSH-së”, tha Bakallova.
Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se do të organizojnë debat publik për procedurën e rinovimit të lejes për ‘Usjen’, ku do të ftohen edhe përfaqësues nga nisma “Stop Usjes”.
“Në debat do të ftohen të gjitha palët e interesuara, përfshirë përfaqësues të organizatave qytetare, iniciativave dhe komunitetit profesional. Sektori civil është partner i rëndësishëm në përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit. Përmes proceseve transparente mund të ndërtohet besimi në institucione dhe të sigurohen zgjidhje të qëndrueshme në interes të qytetarëve”, thanë nga ministria.
Çimentorja ‘Usje’ mbetet në të njëjtin qëndrim, duke thënë se fabrika nuk është ndotësi kryesor i kryeqytetit.
Nisma “Stop Usjes” disa herë ka organizuar protesta dhe bllokada për shkak të ndotjes së ajrit në Shkup, e cila sipas tyre shkaktohet kryesisht nga puna e çimentores Usje.