Opozita dhe pushteti janë bërë bashkë për miratimin e këtij ligji të rëndësishëm, deklaroi ministri Aliu
Ministri për Shëndetësi në Maqedoninë e Veriut, Azir Aliu, ka përkujtuar që opozita dhe pushteti janë bërë bashkë për miratimin e ndryshimeve ligjore që kanë për qëllim marrjen dhe transplantimin e organeve të njeriut për qëllime mjekësore, transmeton Portalb.mk.
“Kuvendi dërgoi një mesazh të fuqishëm uniteti dhe konsensusi për forcimin e dhurimit të organeve, pasi deputetët e pushtetit dhe opozitës votuan për nevojën e miratimit të ligjit me procedurë të shkurtuar. Kur bëhet fjalë për jetën, nuk ka pozitë dhe opozitë, nuk ka dallim politik që mund të jetë më i rëndësishëm se detyrimi për të treguar se shteti di të jetë në anën e humanizmit, dinjitetit dhe shpresës”, deklaroi ministri Aliu.
Ai deklaroi se do të jetë i pari që do të regjistrohet si dhurues organesh, ndërkohë theksoi nevojën për ndërgjegjësimin e njerëzve për dhurimin e organeve, duke përfshirë mjekë, shkolla, shoqata e bashkësi fetare.
“Është në procedurë ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, i cili tashmë është dorëzuar në Kuvend me procedurë të shkurtuar”, sqaroi Aliu, duke sqaruar që “deklarimi do të bëhet përmes një moduli të ri digjital në sistemin ‘Termini im’, në mënyrë të sigurt dhe me verifikim të dyfishtë. Çdo qytetar do të mund ta ndryshojë ose ta tërheqë vendimin e tij në çdo kohë”.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut bëri të ditur në janar të vitit 2025-të se në Klinikën për Sëmundje Ortopedike, për herë të parë është transplantuar kocka e një donatori të vdekur në dy gishta të një fëmije 13-vjeçar me brakidaktili.
Para katër viteve në Klinikën për sëmundje ortopedike në Shkup për herë të parë është bërë transplantimi i ligamenteve nga një donator i vdekur. Më pas, një pacient 34-vjeçar me një dëmtim serioz në gjurin e djathtë mori transplant të indeve të buta nga një donator i vdekur.