6 mijë punëtorë do të marrin rroga me rritje 10 përqind, paralajmëroi Qyteti i Shkupit

Qyteti i Shkupit ka vendosur që gjashtë mijë të punësuar në administratën e kësaj komune dhe në ndërmarrjet publike të kenë rritje të rrogës për dhjetë përqind, transmeton Portalb.mk.

“Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka nënshkruar marrëveshje me sindikatën përfaqësuese në Qytetin e Shkupit përmes së cilës rrogat rriten për 10 përqind. Kryetarja Arsovska e realizoi premtimin për harmonizimin dhe rritjen e rrogave të punësuarve në Qytetin e Shkupit dhe ndërmarrjet publike”, njoftoi Qyteti i Shkupit.

Përkujtohet që kjo është rritja e dytë e rrogës në këtë mandat, pasi në vitin 2022 të punësuarit në ndërmarrjet e Qytetit të Shkupit panë rritje lineare të rrogave për 2800 denarë.

Me kërkesë për paga dinjitoze evropiane, rreth njëqind punonjës në administratën e gjykatës sot, si dhe ditët e kaluara, kanë dalë në protestë dhe kanë bllokuar kryqëzimin tek qendra tregtare “Mavrovka”. Ata përsëritën kërkesat e tyre, që janë paga më të larta për 78 për qind të pagës minimale në shërbimin gjyqësor dhe 35 për qind shtesë në pagë për zyrtarët e gjykatës.

Ndryshe, shumë të punësuar në sektorin publik do të marrin këtë muaj rrogë më të lartë për 10 % në bazë të Marrëveshjes së përgjithshme kolektive, derisa të sektori i arsimit është planifikuar rritja për 15 %.

Më 18 korrik, në orët e pasdites u nënshkruar Marrëveshja e re kolektive për sektorin publik ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM). Pjesë e ekipit qeveritar ishte kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, ministri i financave Fatmir Besimi, ministrja e punës dhe politikës sociale Jovanka Trençevska, si dhe kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov.

Ministrja  sqaroi që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, pas 15 vjetëve, do të siguron metodologji të re për llogaritjen e pagës prej marsit të vitit 2025, ndërkohë në shtator të këtij viti do të ketë rritje të rrogës për 10 % për 130 mijë të punësuar në sektorin publik, si dhe K-15 në vlerë prej 10 mijë denarë deri në dhjetor të këtij viti.