RMV, të punësuarit në administratën gjyqësore protestojnë: Të përfshihemi në grupin e punës për rritjen e pagave

Me kërkesë për paga dinjitoze evropiane, rreth njëqind punonjës në administratën e gjykatës sot, si dhe ditët e kaluara, kanë dalë në protestë dhe kanë bllokuar kryqëzimin tek qendra tregtare “Mavrovka”, transmeton Portalb.mk.

Ata përsëritën kërkesat e tyre, që janë paga më të larta për 78 për qind të pagës minimale në shërbimin gjyqësor dhe 35 për qind shtesë në pagë për zyrtarët e gjykatës.

Jasmina Veliçkova, kryetare e bordit të grevës për Gjykatën Themelore Penale dhe kryetare e Administratës Gjyqësore të Maqedonisë, thotë se kërkojnë nga Qeveria që të përfshihen në grupin punues për ngritjen e pagave.

“Punonjësit e administratës gjyqësore prej shtatë muajsh kërkojnë të drejtat e tyre, pra rritjen e pagës me 78 për qind të pagës minimale në shërbimin gjyqësor dhe kthimin e shtesës 35 për qind që na u shkurtua pasi iu rrit paga zyrtarëve. Ne nuk ndalemi. Kërkojmë që kjo padrejtësi të korrigjohet menjëherë, në të kundërtën do të shpallim grevë dhe do të bllokojmë të gjitha gjykatat në mbarë Maqedoninë. Në ekipin negociator kërkojmë të përfshihemi si sindikata, sepse nuk mund të vendoset për ngritjen e pagave të shërbimit gjyqësor pa praninë e organizatave sindikale”, tha sot Veliçkova.

Më 3 shtator, në një mbledhje, qeveria mori vendim që në shtatë ditët e ardhshme të formohet një grup pune, i cili do të punojë për gjetjen e një zgjidhjeje në lidhje me kërkesat dhe situatat e parashtruara nga gjykata, prokuroria publike dhe punonjësit e organet e administratës shtetërore.

Ky vendim është propozim i Ministrisë së Drejtësisë, pasi ministri Krenar Lloga në bisedime me Sindikatat e UPOZ-it janë pajtuar që të gjendet një zgjidhje e përbashkët, në mënyrë që të mos pengohet procesi i zhvendosjes së lëndëve në gjykata dhe prokurori publike.

Në grupin e punës do të jenë ministrat e drejtësisë, financave dhe shoqërisë së informacionit dhe administratës, zëvendëskryeministri përgjegjës për çështjet ekonomike, koordinimin e dikastereve ekonomike dhe investimeve, si dhe përfaqësues nga Sindikata e SPAAGjSh-it.