Profesorja e Harvardit nderohet me çmimin Nobel për ekonominë

Çmimi Nobel për ekonominë iu dha të hënën profesores së Universitetit të Harvardit, Claudi Goldin, për punën e saj studimore për hendekun për shkak të gjinisë në tregun e punës, raporton VOA. Njoftimi për këtë çmim shërben përbën në vetvete një hap të vogël për të mbyllur hendekun gjinor tek vetë çmimet që jep komiteti për Nobelin. Zonja Goldin është vetëm gruaja e tretë që fiton çmimin Nobel, ndër 93 personat e vlerësuar me këtë çmim në fushën e ekonomisë.

Ajo ka studiuar pjesëmarrjen e grave në tregun e punës gjatë 200 viteve të fundit, duke provuar se megjithë rritjen e vazhdueshme ekonomike, rrogat për gratë nuk patën rritje të vazhdueshme për t’iu afruar rrogave të burrave, dhe se hendeku vazhdon të ekzistojë megjithë nivelet më të larta të arsimimit të grave.

Zonja Goldin e përshëndeti vendimin si një “çmim të madh për idetë dhe për ndryshimin afatgjatë”.

“Ka ende dallime të mëdha mes grave dhe burrave për sa i përket asaj çfarë bëjnë, se si shpërblehen dhe të tjera”, i tha zonja Goldin agjencisë së lajmeve Reuters, nga shtëpia e saj në Kembrixh, në Masaçusets të Shteteve të Bashkuara.

Zonja Goldin u emërua në vitin 1990 si profesorja e parë grua në departamentin e Universitetit të Harvardit për shkencat ekonomike.

“Është e rëndësishme për shoqërinë që të kuptojmë rolin e grave në tregun e punës. Falë punës novatore kërkimore të Claudia Goldinit, tashmë dimë shumë më tepër për faktorët kryesorë dhe se për cilat pengesa duhet gjetur një zgjidhje në të ardhmen”, tha Jakob Svensson, kryetar i Komitetit për Çmimin në Shkencat Ekonomike.

Zonja Goldin nuk sugjeron zgjidhjen, por puna e saj kërkimore u mundëson politikëbërësve që të përballen me këtë problem të vazhdueshëm, tha ekonomistja Randi Hjalmarsson, anëtare e komitetit për çmimin Nobel.

“Ajo shpjegon burimin e këtij hendeku, dhe se si kjo ka ndryshuar ndër vite dhe se si kjo varet nga faza e zhvillimit. Prandaj nuk ekziston një politikë e vetme”, tha zonja Hjalmarsson. “Është një çështje e komplikuar politikash, pasi nëse nuk i njeh arsyet themelore, një politikë e caktuar nuk do të funksiononte”.

Sidoqoftë, “duke e kuptuar më në fund problemin dhe duke e njohur siç duhet, do të jemi në gjendje të përgatisim një të ardhme më të mirë”, tha zonja Hjalmarsson.

Zonjës Goldin iu desh të zbulonte të dhëna të reja, ndërsa përpiqej të plotësonte mangësitë në materialet e mbledhura për studimin e saj, tha zonja Hjalmarsson. Për periudha të tëra mungojnë të dhëna për tregun e punës, dhe edhe në rastet kur ato ekzistojnë, nuk përmbajnë të dhëna për gratë.

“Pra si arriti Claudia Goldin të tejkalojë këtë mungesë të dhënash? Asaj iu desh të shndërrohej në një detektive për të gërmuar në arkiva për burime të reja të dhënash dhe për mënyra krijuese për t’i matur këto të panjohura”, tha zonja Hjalmarsson.

Sipas analizës së zonjës Goldin, roli i gruas në tregun e punës dhe rroga që ajo merr, nuk ndikohen vetëm nga ndryshime të gjera sociale dhe ekonomike. Ato gjithashtu ndikohen pjesërisht nga vendimet që gratë marrin, për shembull se deri në çfarë niveli arsimor të arrijnë.

Vajzat e reja i marrin shpesh vendimet për punësimin duke iu referuar pjesëmarrjes së nënave të tyre, me secilën gjeneratë që “mëson nga sukseset dhe dështimet e gjeneratës pararendëse”, thotë zonja Hjalmarsson.

Procesi i vlerësimit të perspektivës ndërsa kohërat ndryshojnë “ndihmon për të shpjeguar përse ndryshimi në hendekun gjinor në tregun e punës ka qenë kaq i ngadaltë”, tha ajo.

Zonja Goldin, tashmë në moshën 77-vjeçare, “u befasua dhe u kënaq së tepërmi” nga marrja e këtij çmim, tha Hans Ellegren, sekretar i përgjithshëm i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.

Ky çmim pason çmimet e dhëna javën e kaluar për mjekësinë, fizikën, kiminë, letërsinë dhe paqen.

Çmimi për ekonominë u krijua në vitin 1968 nga banka qendrore suedeze dhe njihet zyrtarisht me emrin Çmimi i Bankës së Suedisë për Shkencat Ekonomike në Kujtim të Alfred Nobelit.

Fituesit e vitit të kaluar ishin ish-kryetari i Rezervës Federale amerikane, Ben Bernanke, si dhe Douglas W. Diamond dhe Philip Dybvig për studimin e dështimit të bankave që i dha formë reagimit energjik të Amerikës ndaj krizës financiare të periudhës 2007-2008.

Vetëm dy nga 92 fituesit e çmimit për ekonominë kanë qenë gra.

Një javë më parë, hungarezo-amerikania Katalin Kariko dhe amerikani Drew Weissman fituan Çmimin Nobel për mjekësinë. Çmimi për fizikën iu dha të martën fizikantes francezo-suedeze Anne L’Huillier, shkencëtarit francez Pierre Agostini dhe hungarezo-austriakut Ferenc Krausz.

Shkencëtarët amerikanë Moungi Bawendi, Louis Brus dhe Alexei Ekimov fituan të mërkurën çmimin për kiminë. Ata u pasuan nga shkrimtari norvegjez Jon Fosse, që fitoi çmimin për letërsinë. Të premten, aktivistja e burgosur iraniane Narges Mohammadi fitoi çmimin për paqen.

Çmimet do të jepen gjatë ceremonive në dhjetor në Oslo dhe në Stokholm. Ato shoqërohen me fonde prej 1 milion dollarësh. Fituesve u jepet edhe një medalje ari 18-karatëshe dhe një diplomë.