3.000 qytetarë vrapuan në shtatë qytete të RMV-së për të ndihmuar të lënduarit nga zjarri në Koçan
Mbi 3,000 qytetarë në shtatë qytete vrapuan njëkohësisht për Koçanin sot, si pjesë e festimit të Ditës së Evropës. Gara humanitare “Të gjithë për Koçanin – Vrapojmë së bashku” u mbajt në Shkup, Manastir, Tetovë, Strumicë, Veles, Strugë dhe Kriva Pallankë në kujtim të 62 viktimave të zjarrit në diskoteken “Puls” në Koçan më 16 mars dhe për ndihmë të rreth 200 të lënduarve, transmeton Portalb.mk.
“Procesi i shërimit dhe i pikëllimit është i gjatë dhe i vështirë. Për familjet, kjo është periudha më e vështirë. Ne jemi këtu për të dërguar një mesazh të fortë solidariteti”, tha Michalis Rokas, ambasadori i BE-së në vend.
Midis pjesëmarrësve kishte edhe fëmijë, të cilët thanë se po merrnin pjesë për të ndihmuar bashkëmoshatarët e tyre nga Koçani që po trajtohen për lëndime.
Në të gjitha qytetet, u dhanë çmime për më të mirët si në garat e meshkujve ashtu edhe në ato të femrave.
Gara u organizua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe rrjeti i Europe House me rastin e Ditës së Evropës, me qëllim mbledhjen e fondeve për familjet e viktimave të tragjedisë së Koçanit. Fondet nga tarifat e regjistrimit do t’i dhurohen Kryqit të Kuq dhe do të drejtohen për të mbështetur komunitetin në Koçan.
Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Një hetim është duke u zhvilluar kundër 68 individëve dhe tre personave juridikë për tragjedinë që tronditi të gjithë vendin.