Georgiev njoftoi se raporti nga misioni i BE-së do të shqyrtohet në seancë publike të Këshillit Gjyqësor

Raporti i misionit vlerësues të Bashkimit Evropian (BE), i cili përmban 40 rekomandime për punën e Këshillit Gjyqësor, me gjasë do të shqyrtohet në një seancë publike të Këshillit. Kështu bëri të ditur sot kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev, i cili informoi se raportin e BE-së e kanë marrë dje, transmeton Portalb.mk.

“Për një kohë të shkurtër po mendojmë të caktojmë seancë publike ku do të shqyrtohet raporti në detaje”, tha Georgiev.

I pyetur nëse Këshilli Gjyqësor planifikon ta përmirësojë dhe reformojë këtë organ në përputhje me rekomandimet e BE-së, Georgiev tha se këto çështje do të diskutohen në seancën publike.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se ku e sheh përgjegjësinë për notat e këqija të Këshillit Gjyqësor, ai thotë se vetë raporti thekson se bëhet fjalë për probleme që akumulohen prej vitesh dhe me të cilat, siç thotë ai, tani Këshilli përpiqet të gjejë mënyrë për t’i zgjidhur ato.

“Raporti është dhënë me rekomandime për një periudhë të shkurtër, të mesme dhe më të gjatë, ku disa kushte të konstatuara duhet të rregullohen me ndryshime ligjore. Është një pjesë e asaj që pamë në parim dhe që dëgjojmë nga mediat, duhet të zbatohet dhe të veprohet sipas ligjit”, thotë Georgiev.

Raporti i misionit vlerësues të BE-së për punën e Këshillit Gjyqësor përmban 40 rekomandime, 17 prej të cilave janë në domenin e vetë Këshillit, ndërsa 23 të tjera kërkojnë ndërhyrje në Kushtetutë dhe në ligjet që rregullojnë çështjen konkrete. Rekomandimet, pa u futur shumë në detaje, u prezantuan dje në një brifing me gazetarë nga ambasadori evropian David Geer. Raporti është ndarë me autoritetet dhe institucionet kompetente, por nuk do të bëhet publik pasi siç tha ambasadori evropiane zvogëlon efektivitetin e tij.