202 kilogramë akullore dhe akull përfunduan në mbeturina, AUV gjobiti 45 objekte

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka shqiptuar 45 gjoba në vlerë të përgjithshme prej 19.430 eurosh pas kontrolleve verore në objektet për prodhimin dhe shitjen e akullores dhe akullit. Gjatë kontrolleve janë zbuluar edhe produkte të pasigurta, prej të cilave 202 kilogramë janë tërhequr dhe asgjësuar, transmeton Portalb.mk.

Inspektorët e AUV-së, nga fillimi i korrikut deri në fund të gushtit, kanë kryer 560 kontrolle të jashtëzakonshme te prodhuesit e akullores dhe akullit, por edhe në objektet hotelierike që i prodhojnë këto produkte vetë për nevojat e tyre.

Gjatë kontrolleve janë konstatuar disa lloje parregullsish – operatorë të paregjistruar me ushqim, mungesë të analizave të nevojshme laboratorike dhe kontrolleve shëndetësore, etiketim të parregullt të produkteve dhe kushte joadekuate higjienike.

Inspektorët kanë ndërmarrë masa edhe në rastet kur produktet nuk i kanë plotësuar kushtet e sigurisë. Gjithsej 202 kilogramë akullore dhe akull janë shpallur të pasigurta dhe janë asgjësuar në mënyrë të padëmshme.

Operatorëve te të cilët janë konstatuar parregullsi u janë lëshuar vendime dhe urdhra për eliminimin e tyre, ndërsa në 45 raste janë shqiptuar gjoba. Shuma e përgjithshme e sanksioneve është 19.430 euro, në kundërvlerë denari.

Kontrollet janë kryer gjatë periudhës kur konsumi i akullores dhe akullit është më i lartë, ndërsa temperaturat e larta e rrisin më tej rëndësinë e prodhimit, ruajtjes dhe trajtimit të duhur të këtyre produkteve.