107 palestinezë të vrarë në 24 orët e fundit në Gaza, numri total është rritur në 27.947

Të paktën 107 palestinezë janë vrarë dhe 142 të tjerë janë plagosur në 24 orët e fundit derisa Izraeli vazhdon sulmet e tij në Rripin e Gazës së rrethuar, transmeton Anadolu.

“Okupimi izraelit kreu 13 masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 107 dëshmorë dhe 142 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit”, tha Ministria e Shëndetësisë me bazë në enklavë.

Ministria theksoi se shumë njerëz ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata.

Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), Izraeli vazhdon sulmet në Rripin e Gazës, ku të paktën 27.047 palestinezë janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë si dhe 67.459 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, për të cilin Tel Avivi thotë se vrau 1.200 njerëz.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.