Zullumi dhe “rrënimi kreativ” (I)

“S’ka politikë frytdhënëse pa metafizikë thellësinore!”

Ibrahim Kalın

Lord Byron-it, pas suksesit me librin e tij ‘Childe Harold’s Pilgrimage’ (1812), kur i gjithë tirazhi i parë u shit brenda dy-tri ditëve, tha: ’Një ditë, në mëngjes u zgjova i famshëm’. Një analogji me këtë, negative kuptohet, mund të bëhet edhe lidhur me një pjesë të pushtetarëve tanë të periudhës së tranzicionit: “Një ditë, në mëngjes u zgjova i pasur, i shumëpasur, milioner!” Këta individë nga shtresa e ulët, nga mjeranët e dikurshëm, fëmijët e punëtorëve të djersës së ballit, të të shtypurve të sistemit, pasi morën në dorë pushtetin, shtetin, arritën që brenda natës të bëhen pseudo-aristokratë, leshko-kapitalistë, pasanikë të çastit, kleptokratë. Këta njerëz të tubuar rreth të ndershmive të dikurshëm që kërkonin barazi e drejtësi u bënë simbol i padrejtësisë, i haramllëkut masovik. Ish-luftëtarët që sfiduan një shtet, arritën gjendjen që të poshtërohen si më keq. Hajnat e infiltruar në mesin e çlirimtarëve, dhe disa nga “patriotët” e transformuar në hajdutë, duke ngrënë padrejtësisht bukën e miletit, morën mallkimin e tij dhe gjithçka u mbeti në fyt, kështu që janë kah ngulfaten nga haku i atyre që ua dhanë besën për gjitha këto cikle zgjedhjesh, për 22 vjet. Shkelja në besë është hata, mëkat, edhe me kanun, edhe me fe, edhe me çdo kulturë a kod human.

Dikur njerëzit të padrejtit i thonin: “O t’u shtoftë zullumi!”, që kishte kuptimin fundin e ke afër ose “ta pafsha fundin”. Fjalori i Shqipes së Sotme zullumin e shpjegon si vijon: “Të këqija, padrejtësi, mujshi (grabitje, shkatërrime etj.) që bën dikush, duke shpërdoruar fuqinë që ka…” Tekstet klasike zullumin e përkufizojnë si zhvendosje e gjërave nga vendi i vet, padrejtësi, maltretim, veprim i dëmshëm ose tiranik. “Bota mund të mbijetojë me blasfemi por jo me padrejtësi”  – thotë Koçi Bey.

Një pjesë e klikës politike që dominoi skenën politike ndër ne, agjendë primare ka pasur triadën “pare, femna e argëtim”; në këtë rrjet apo kurth ka rënë një numër i konsiderueshëm i atyre që kanë shijuar “mjaltin e pushtetit” gjithandej. Kështu janë shkatërruar nga shpresat dhe pasionet e pafundme. Bile edhe njerëz e djem të shëndoshë moralisht që deri dje i njihnim si esnafë, kaluan në kategorinë e të paprekshmive që u ngjitën në kullat e veta, bashkë me suitën e tyre. Menduan se meqë kanë njerëz pas vete, liderin lokal dhe në veçanti atë qendror, janë të sigurtë e s’ka kush i lëvizë. “I kemi edhe dhentë” (lexo: popullin), ishte logjika e tyre. Një shtëpi botuese shqiptare në profilin e saj në FB mban këtë shkresë ikonike Duhen ma shumë men’ se dhen!” Bile edhe nëse ke vota me bollëk, edhe nëse del i pari me shifra s’do të thotë se je në rrugë të drejtë, sepse demokracia nuk nënkupton vetëm numrat. Pra, s’të mjaftojnë masat që i ke pas vetes, pos s’pate mend, po s’ke urtësinë e thellë në veprim. Më tej: kot që ke bë para, kur ke humbur ndërgjegjen, vlerat, moralin. Zotërinjtë e kancelarive harruan se çdo pushtet i ka ditët e numëruara. Harruan se ligjin eternal, të përhershëm, se “kontinuiteti i pushtetit është në proporcion të drejtë në drejtësinë”. Sa vepron me drejtësi aq në pushtet ke jetëgjatësi. Sa më shumë që thellohesh në krim material, të pasurisë e financiar, aq më afër e ke përfundimin apo hundëthyerjen.

Vazhdon…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.