Zoran Ristoski u zgjodh drejtori i RTVM-së, LSDM akuzon se Mickoski vendosi mikun e tij për drejtor

Këshilli Programor i Radiotelevizionit të Maqedonisë njofton se pas përfundimit të procedurës ligjore, për drejtor të RTVM-së është zgjedhur Zoran Ristoski. Sipas njoftimit, në garë u shqyrtuan gjashtë kandidatura. Përzgjedhja u bë mbi bazën e cilësisë së programeve të punës, përmes votimit anonim, ku identiteti i kandidatëve nuk ishte i njohur gjatë vlerësimit. Pas përzgjedhjes së programit më të vlerësuar, u verifikuan të dhënat e kandidatit dhe përmbushja e kushteve ligjore. Këshilli thekson se procesi ishte transparent dhe në përputhje me ligjin, me qëllim zgjedhjen kredibile të drejtuesit të shërbimit publik. Nga drejtori i ri pritet punë profesionale për përmirësimin e përmbajtjes programore dhe kushteve për punonjësit, shkruan Portalb.mk.

Nga ana tjetër, LSDM, ka reaguar pas përzgjedhjes së drejtorit të ri të RTVM-së. Nga atje thonë se kjo është një goditje e re për lirinë e medias dhe demokracinë.

“Hristijan Mickoski ka emëruar mikun e tij dhe konsullin nderi të Guinesë, Zoran Ristoski – Gjuzo, si drejtor të RTVM-së. I vetmi kualifikim i Ristovskit është afërsia e tij personale me Kryeministrin Mickoski. Një konsull për energjinë – Adamoviç, tani një tjetër konsull për RTVM-në duke ndjekur skemat e Mickoskit”, reagon LSDM.

Nga atje shtojnë se në vend që shërbimi publik kombëtar të jetë një nga shtyllat e demokracisë dhe tu shërbejë qytetarëve informacion objektiv, Mickoski e ka shndërruar atë në një megafon partiak për grupin e tij të krimit të organizuar.

“Duke e futur në kthetrat e Mickoskit, tani është plotësuar edhe partizimi i RTVM-së. Kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë të kontrollit të plotë mbi institucionet dhe median. Ai e pushtoi sistemin gjyqësor, emëroi gjykatësit dhe prokurorët e tij, të cilëve u cakton detyra publikisht. Ministria e Brendshme përdoret siç ishte gjatë kohës së Gruevskit, nuk ka mbrojtje të të dhënave nga kamerat e “Safe City”. Përmes rrjetit të Orbanit, ai kontrollon mbi 40% të mediave, të cilat abuzohen për fushata të zeza, afera të sajuara dhe defokus nga problemet reale të qytetarëve. Tani mbulohet edhe shërbimi publik shtetëror. Jemi kthyer në kohën e Nikolla Gruevskit para vitit 2016. Qeveria është me nxitim, paratë po mbarojnë, hetimet për bizneset e Orbanit në Hungari po vijojnë. Prandaj duan ta shfuqizojnë Qeverinë teknike dhe kur të mbarojnë paratë, të shpallin zgjedhje”, thuhet në qëndrimin e LSDM-së.

Ndryshe, sipas praktikës së deritanishme gjatë ditës së nesërme pritet që Këshilli Programor i Radiotelevizionit të Maqedonisë, ta votojë dhe zëvendësdrejtorin e ri të RTMV-së, i cili duhet të jetë shqiptar. Kujtojmë që Zëvendësdrejtori i fundit në RTVM, ishte Harun Ibrahimi, ndërkohë për shkak se i njëjti kishte dalë në pension, nga viti 2021, RTVM ka mbetur pa përfaqësues shqiptar.

Në qershor 2019, Departamenti i Policisë Financiare ngriti padi penale kundër ish-Drejtorit Cvetkovski për shpërdorim të detyrës, duke shkaktuar dëm prej 154 milionë denarësh ose mbi 2 milionë euro për shtetin. Siç tha Policia Financiare në atë kohë, në vitin 2015, kur mori një kredi nga një bankë tregtare vendase, Cvetkovski i vuri peng asetet e MRT-së pa pëlqimin e Parlamentit, i cili është themeluesi i saj. Cvetkovski kërkoi  kredi prej 140 milionë denarësh dhe i vuri peng asetet e MRT-së prej 294 milionë denarësh.