Në Maqedoninë e Veriut u ul çmimi i gazit të lëngshëm
Në Maqedoninë e Veriut është ulur çmimi i gazit të lëngshëm, ku kompania Makpetrol ka reduktuar çmimin me 5 denarë për litër, nga 59 në 54 denarë, ndërsa edhe në tregtinë me shumicë është shënuar rënie prej rreth 10 denarë për kilogram, transmeton Portalb.mk.
Nga Qeveria bëjnë të ditur se edhe kompanitë e tjera kanë ndjekur të njëjtin trend, duke sjellë çmime në pakicë që variojnë nga 53 deri në 54 denarë për litër.
Sipas Qeverisë, kjo është rezultat i analizave të Inspektoratit të Tregut dhe marrëveshjes me tregtarët për uljen e marzhave bruto, me qëllim mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe stabilizimin e tregut të energjisë.
“Kemi arritur marrëveshje që këto marzhe të ulen dhe të mbeten në atë nivel edhe në periudhën e ardhshme, në mënyrë që të mos kemi luhatje si ato që do t’i kishim tani, këtë javë ulje, e javën tjetër rritje. Kjo do të thotë se do të kemi ulje prej më shumë se 10% në tregtinë me shumicë dhe nga 9 deri në 10% në pakicë”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
Kujtojmë se Qeveria në një nga mbledhjet e fundit vendosi që TVSH-ja për dizelin të rikthehet në 18 përqind, gjë që kryeministri e arsyetoi me çmimet aktuale në bursë, sipas të cilave edhe me këtë masë çmimi do të ulet. TVSH prej 10 përqind do të vazhdojë të vlejë për benzinat edhe për dy javë, pasi për to bursat nuk shënojnë ulje. Ulja e akcizës për dizelin do të jetë 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat 2 denarë për litër.
Ditë më parë deputetët në Parlament dhanë dritën jeshile për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshmenë furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Me këtë vendim, gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri më 20 korrik 2026.
Kriza aktuale e çmimeve të karburanteve lidhet me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë.
Ky tension ka shkaktuar pasiguri në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në vendet e rajonit.
Si pasojë, shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të importit të karburanteve, çka ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin tek qytetarët.