Zhveshtorja në autobus, tualeti mungon: Punëtorët e “Pishës” në Likovë punojnë në kushte skandaloze, institucionet i kanë harruar
Punëtorët e Ndërmarrjes Komunale Publike “Pisha” në Likovë punojnë në kushte mjeruese: pa tualet, pa rrymë, pa dritare dhe pa mjete elementare pune. Madje ata përdorin një autobus të vjetër si zhveshtore. Ata denoncojnë mungesën e përkujdesjes nga komuna dhe ndërmarrja, duke kërkuar përmirësim të kushteve urgjentisht. Nga NKP “Pisha” arsyetohen se zhveshtorja është drejt përfundimit, ndërsa heshtin për problemet tjera, shkruan Portalb.mk.
Autobus i shndërruar në zhveshtore
Punëtorët e Ndërmarrjes Komunale Publike “Pisha” në Likovë përballen me kushte të këqija pune, pa asnjë mbështetje minimale për kryerjen e punës së tyre.
Ata si zhveshtore përdorin një autobus të vjetër, ndërsa kërkojnë me urgjencë rregullimin e zhveshtores, dhe sigurimin e kushteve bazë elementare për punë.
Gazmend Zeqiri punëtor i cili ndër vite punon në këtë ndërmarrje theksoi se kushtet janë jashtëzakonisht të këqija dhe se komuna ende nuk i ka përmbushur kërkesat e tyre.
“Kushtet në të cilat punojmë janë të mjerueshme. Nuk kemi as rrymë, as dritare, as tualet. Edhe po të dilni vetë ta shikoni, është skandaloze. Kryetari i Komunës na ka premtuar përmirësime, por deri tani nuk ka bërë asgjë serioze. Erdhi para disa ditësh dhe tha se do ta rregullojë rrymën, por ende nuk është bërë asgjë. Kemi shkuar disa herë te ai, por na tha se është i zënë, në fakt, thjesht na injoron. Ne jemi vetëm 14 punëtorë, por askush nuk kujdeset për kushtet në të cilat punojmë. Tenderët i marrin me ngut, por këtu nuk ka as minimumin për të punuar”, tha Gazmend Zeqiri.

Zeqiri theksoi edhe një problem tjetër se dy nga kamionët nuk funksionojnë, sepse, sipas tij, drejtoresha nuk i menaxhon siç duhet. Ai shtoi se punëtorët e kryejnë detyrën e tyre me përgjegjësi, por mungon përkujdesja për mirëmbajtjen e mjeteve, gjë që është përgjegjësi e udhëheqësisë.
“Nëse mjetet do të ishin funksionale dhe ne nuk do ta bënim punën tonë, atëherë ajo do të kishte të drejtë të na ndëshkonte, por jo në këtë situatë”, tha Zeqiri.
Ndërsa Ramadan Rexhepi thotë se nuk kanë as mjete elementare për punë.
“Rroga nuk po rritet. Na duhen më shumë punëtorë, sepse jemi shumë pak ndërsa ka shumë punë. Nuk kemi mjete për punë, as dorëza, as uniforma. Dhomën për t’u ndërruar e kanë lënë në gjysmë. Nuk kemi kushte. Kërkojmë që sa më shpejt të na plotësohen këto kushte që po i kërkojmë”, tha Ramadan Rexhepi.

Autoriteteve lokale nuk u bëhet vonë aspak për punëtorët
Komuna e Likovës përgjegjësitë ia hedh Ndërmarrjes Komunale “Pisha”.
“Ju lutemi për këtë kërkesë të drejtoheni te organi kompetent NKP “Pisha”- Likovë”, thanë nga Komuna e Likovës.
Pyetëm Ndërmarrjen Komunale Publike “Pisha” në lidhje me problemet e punëtorëve, dhe ankesat e tyre që ata i shprehën për Portalb.mk.
Nga NKP “Pisha” theksojnë se dhoma e punëtorëve është drejtë përfundimit, por nuk përgjigjen për problemet tjera.
“Dhoma e punëtorëve është drejtë përfundimit, defekti i kamionit është duke u sanuar, punësimet janë te realizuara sipas planit për punësim për vitin 2025”, thanë nga NKP “Pisha”.
Ndryshe, me 10 janar 2025 Inspektorati Shtetëror i Punës, pas një parashtrese të dorëzuar nga ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, anuloi shpalljen për punësim në Ndërmarrjen Komunale “Pisha” të Likovës. Punëdhënësi u njoftua se duhet të eliminojë parregullsitë e evidentuara.
Kujtojmë që Minçev, më 3 janar ka kërkuar inspektim të jashtëzakonshëm në lidhje me konkursin për punësim të Ndërmarrjes Publike Komunale “Pisha”. Minçev shprehu shqetësim në lidhje me konkursin e kësaj ndërmarrje ku kërkohet punësimi i katër personave, ku si kriter përcaktohet përkatësia etnike.