Marigona Qerkezi do ta udhëheqë “Opera Night”, në kuadër të Rilof 2025
Një nga mbrëmjet më të veçanta të Rame Lahaj International Opera Festival (Rilof), “Opera Night”, rikthehet më 28 korrik në Prishtinë, me një protagoniste të veçantë, sopranon e njohur ndërkombëtarisht, Marigona Qerkezi, shkruan Portalb.mk.
E cilësuar si një nga zërat më të spikatur të gjeneratës së re dhe ambasadore e denjë e kulturës shqiptare në skenat botërore, Marigona do të udhëheqë këtë natë të mbushur art. E vlerësuar për zërin e saj dramatik, interpretimet emocionale dhe prezencën skenike të fuqishme, ajo ka performuar në disa prej teatrove më prestigjioze evropiane, si: Teatro Regio di Parma, Deutsche Oper am Rhein, Royal Danish Opera, Opera de Oviedo, dhe Teatro Comunale.
Në “Opera Night”, ajo do të interpretojë një repertor të larmishëm që përfshin kryevepra nga Bellini, Verdi, Puccini, vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe tingujt e veçantë të Bernstein dhe Gershëin, nën shoqërimin në piano të mjeshtrit Jess Rucinski.
Ngjarja do të mbahet më 28 korrik 2025, nga ora 20:30, në hapsirën e jashtme pranë Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.
Organizatorët ftojnë publikun të bëhet pjesë e kësaj mbrëmjeje që premton përjetime të rralla artistike dhe emocionale, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Rame Lahaj International Opera Festival.