Zgjedhjet në RMV, 10,6 milionë euro para të qytetarëve do të harxhohen për reklamimin e partive në portale, televizione, radio dhe gazeta

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në seancën e sotme të 84-të, e ka miratuar regjistrin e radiodifuzerëve, mediave të shtypit, mediat elektronike dhe internet portalet, në të cilat do të kryhet reklamim i paguar politik për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Në regjistër janë 249 portale, 37 televizione, 35 radio dhe 11 gazeta, njofton Portalb.mk.

Partitë nuk do të mund të porosisin reklamim të paguar politik në mediat të cilat nuk janë në regjistrin e KSHZ-së dhe në to nuk do të mund të paguhet nga llogaria bankare për fushatën zgjedhore.

Këtë vit, zgjedhjet parlamentare dhe rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahen më 8 maj. Sipas llogaritjeve të KSHZ-së, për reklamim të paguar politik do të nevojiten 10,6 milionë euro, e cila është shumë rekorde.

Fushatat e partive politike i paguajnë qytetarët, gjegjësisht financohen me paratë e buxhetit shtetëror. Modeli i këtillë i reklamimit të paguar politik i favorizon katër partitë më të mëdha, gjegjësisht ata marrin më shumë para.

Ligji parashikon nga 45% nga shuma e fituar të marrin dy partitë në pushtet dhe dy partitë më të mëdha opozitare, 7% do të shkojnë te partitë që në zgjedhjet paraprake kanë fituar ndonjë deputet, megjithatë nuk kanë mjaftueshëm përfaqësues për grup të deputetëve, ndërkaq vetëm 3% parashihen për partitë që nuk janë të përfaqësuara në Kuvend.

Ndryshe, zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Gjatë heshtjes për zgjedhjet presidenciale do të vijojë fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare.