Reklamat shtetërore rikthehen në mediat private të RMV-së, Kuvendi e shfuqizoi ndalesën

Moratoriumi për reklamim shtetëror në media private, praktikë të cilën pushteti i udhëhequr nga LSDM e ka ndaluar në vitin 2017-të, ndërkaq me ligj është ndaluar në vitin 2018-të është shfuqizuar me ndryshimet e Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, të cilat dje janë miratuar në seancë kuvendore. Kjo praktikisht nënkupton rikthimin e parave buxhetore në skenën mediatike private, transmeton Portalb.mk.

Në ndryshimet theksohet se fshihet neni 102 në të cilën theksohet se “organet shtetërore, organet e administratës shtetërore, ndërmarrjet publike, njësitë e vetëqeverisjes lokale, institucionet publike dhe institucionet, por edhe personat juridik me autorizime publike dhe shoqëritë tregtare në pronësi të plotë të shtetit nuk guxojnë të parashikojnë mjete për informim dhe njoftim të opinionit me shërbimet e tyre ose aktivitetet nëpërmjet radiodifuzerëve privat” dhe me këtë për pushtetin qendror dhe komunat më nuk ka pengesa juridike që të munden të reklamohen në mediat private.

Për reklama është caktuar vlera, “0,1% nga buxheti shtetëror nga të ardhurat tatimore të konstatuara në llogarinë e fundit përfundimtare të Buxhetit”.

Numrat nga llogaria e përfunduar e buxhetit për vitin 2022, siç transmeton portali “Prizma”, tregojnë se për vitin paraprak ato do të ishin 2,3 milionë euro. Për këtë vit, do të duhet të shihen nëse do të rriten të ardhurat tatimore.

Në ligj parashikohet që Qeveria gjatë një viti të zbatojë së paku një fushatë shtetërore.

Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës do të caktojë se si do të ndahen paratë mes televizioneve dhe radiove. Nga mjetet e parashikuara, 40% mund t’i shfrytëzojnë televizionet nacionale, 40% televizionet kabllovike dhe satelitore, 15% televizionet rajonale dhe lokale, dhe 5% radiot.

Kriteret, sipas të cilave do të ndahen mjetet janë sipas lartësisë së pagesës së tatimeve, kontributeve dhe shpenzimeve tjera publike për vitin paraprak kalendarik, por edhe numrin e të punësuarve.

Përveç pushtetit qendror, edhe komunat do të mund të reklamohen edhe atë gjatë një viti mund të zbatojnë 4 fushata publike në nivel lokal për çka do të vendos komisioni i përbërë nga anëtarët e këshillave komunal.

Paratë për fushatat e komunave do të duhet të sigurohen nga buxheti komunal.

Ndaj këtij ligji janë kundër Shoqata e Gazetarëve, Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatik, Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë, Instituti për Media, Instituti për Hulumtim të Zhvillim Shoqëror, Instituti i Studimeve të Komunikimit, por edhe Qendra për Zhvillim të Mediave, të cilat para disa ditësh reaguan ashpër ndaj shfuqizimit të ndalesës për reklamim shtetëror në mediat private.

“Futja e fushatave shtetërore në media, veçanërisht në kontekstin parazgjedhor, mund të interpretohet si një tentativë për ryshfet partiak dhe krijim të varësisë së medias, gjë që seriozisht e rrezikon pavarësinë dhe pluralizmin e tyre, dhe rrjedhimisht procesin zgjedhor që pason”, thuhet në reagimin e organizatave.

Ata theksojnë se është koha e fundit për të krijuar një Fond të Pluralizmit Mediatik, i cili do të mbështesë gazetarinë cilësore dhe prodhimin e përmbajtjeve të larmishme, në kundërshtim me reklamat shtetërore që shërbejnë si një mjet për ndikim dhe kontroll politik, si dhe të konsiderohen mundësi të tjera të propozuara si p.sh. përjashtimi nga tatimet për gazetarët dhe punonjësit e medias.

Paraprakisht, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ka theksuar se është kundër që reklamimi parazgjedhor i partive politike të bëhet me para nga Buxheti shtetëror.

“Në vitin 2019 kishte ndryshim të ASHMAA-së, nenit famoz 102. Kur u deklarova atëherë se jam kundër, mediat, veçanërisht pesë televizionet nacionale, më akuzuan se punoj kundër tyre. Operatorët gjithashtu akuzuan se punoj kundër tyre. Qëndrimi im është se nuk duhet të ketë para buxhetore për reklama në kuptimin e periudhës parazgjedhore. Por, do të shkoni në shtëpitë tuaja (mediatike) dhe do të pyesni pse insistojnë mu në këtë ligj. Unë megjithatë do të jem i akuzuar, por qëndrimi im është se nuk duhet të ketë para buxhetore për atë punë”, tha Xhaferi.

Kundër qëndrimit të Xhaferit është zëvendëskryeministri nga radhët e BDI-së, Artan Grubi, i cili nuk mendon se partitë politike duhet që të heqin dorë nga reklamimi i financuar nga paratë shtetërore. Duke e sqaruar qëndrimin e tij paraprakisht, ai ka deklaruar se procesi është “publik dhe transparent”.

Si pothuajse pas çdo cikli zgjedhor, ashtu edhe pas zgjedhjeve të fundit, vendi mori rekomandime nga OSBE-ODIHR – si të përmirësohet procesi zgjedhor. Ndoshta ajo që është vendimtare, kërkohet një model i ri, më i drejtë për përfaqësimin mediatik të partive. Aktualisht marketingu politik i partive paguhet nga shteti dhe pothuajse të gjitha paratë dhe hapësirat reklamuese shkojnë për partitë e mëdha.