Zgjedhjet në Gostivar dhe tre komunat tjera do të mbahen më 11 janar 2026

Kryetari i Kuvendit të RMV-së ka nënshkruar aktvendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura në katër komuna më 11 janar 2026. Me hyrjen në fuqi të vendimit, institucionet do të nisin procedurat ligjore për organizimin e procesit. Ai u bëri thirrje organeve zgjedhore për transparencë dhe profesionalizëm, si dhe partive për një garë të qetë e demokratike. Qytetarët u ftuan të marrin pjesë masivisht në votime për të rritur legjitimitetin institucional, transmeton Portalb.mk.

“Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nënshkrova aktvendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë. Zgjedhjet do të mbahen më 11 janar 2026, në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin përkatës. Me hyrjen në fuqi të këtij aktvendimi, institucionet përgjegjëse nisin zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore. U bëj thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, komisioneve komunale, si dhe organizatave mbikëqyrëse të veprojnë me përpikëri, transparencë dhe profesionalizëm.
I ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesmarrës në këtë proces, të zhvillojnë një proces të qetë, fer dhe demokratik, në respektim të standardeve zgjedhore dhe vlerave europiane”, shkroi Gashi në Facebook.

Ai iu drejtuar qytetarëve të këtyre komunave që të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim.

“Përsëritja e zgjedhjeve dëshmon rëndësinë e pjesëmarrjes së secilit qytetar në vendimmarrjen lokale dhe forcimin e legjitimitetit institucional. Kuvendi mbetet i përkushtuar ndaj proceseve të rregullta demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të vendit”, shkroi Gashi.

Kujtojmë se në këto katër komuna nuk u arrit censusi më 19 tetor. Në Gostivar, pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçisht 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë 30.31 përqind ndërsa në Qendër Zhupë 21.49 përqind.

Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale 2025 mbajt më 19 tetor ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.