Zgjedhja e Çuçulit: a do të heqë ai dobësitë sistemike dhe do të ndjekë rastet politike që paralizuan KSHPK-në?

Kryetari i ri i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Adem Çuçul, bëri betimin sot në mëngjes para kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi, pasi dje, me shumicë prej 82 votash “pro”, deputetët e zgjodhën kryetar të Komisionit Kundër Korrupsionit. Pas ceremonisë në Parlament, ai u tha mediave se është i nderuar që është kryetar i institucionit nga i cili vjen. Çuçul ka qenë pjesë e Komisionit Kundër Korrupsionit për 19 vitet e fundit, dhe para se të zgjidhej në pozicionin e kryetarit, ai ishte sekretar i përgjithshëm i KSHPK-së, transmeton Portalb.mk.

Juristi Adem Çuçul, që nga viti 2006, është pjesë e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), që në kohën kur institucioni kishte gjashtë të punësuar. Ai filloi si mbajtës procesverbali dhe shkruante njoftime, këshillonte dhe merrte pjesë në strategji dhe debate, për t’u bërë sekretar i përgjithshëm vitin e kaluar.

“Do të avokoj për punën transparente të KSHPK-së dhe si ekip do të kërkojmë llogaridhënie dhe transparencë nga të gjitha institucionet. Ne jemi një institucion që promovon integritetin dhe do të kërkojmë që integriteti të promovohet dhe përmirësohet në të gjitha institucionet. Vetëm me një angazhim të tillë dhe me integritetin e institucioneve dhe integritetin e mbajtësve të funksioneve publike do të kontribuojmë për një shoqëri më të mirë dhe në uljen e korrupsionit”, tha Çuçul, duke shtuar se pozicioni i kryetarit të KSHPK-së është edhe përgjegjësi e madhe, duke marrë parasysh sfidat me të cilat përballet Komisioni dhe shteti në fushën e luftës kundër korrupsionit.

Në përgjigje të pyetjes se cili do të jetë fokusi i Komisionit Kundër Korrupsionit pasi të marrë detyrën, Çuçul tha se, ndër të tjera, do të përpiqet të korrigjojë vlerësimet që Komisioni Evropian i dha punës së KSHPK-së. Siç tha ai, kjo do të kërkojë përpjekje dhe punë të madhe.

“Do të avokoj për digjitalizimin, për mjetet parandaluese. Jemi në fazën e përgatitjes së Strategjisë së re Kombëtare, e cila po përgatitet në një proces gjithëpërfshirës, ​​me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve relevantë në vend. Si mjet parandalues, shpresoj se do të jetë shumë më konciz dhe më i zbatueshëm se ai i mëparshmi. Me atë mekanizëm, do të kontribuojmë në heqjen e dobësive sistemike që gjenerojnë korrupsion. Gjithashtu përmenda se si kryetar, shpresoj se do të kem mbështetjen e të gjithë Komisionit, për të rritur proaktivitetin tonë në fushën e kontrollit të statusit të pronës së personave të zgjedhur dhe të emëruar, sepse kjo është një nga vërejtjet në Raportin e Komisionit Evropian, dhe është rekomandimi i gjashtë i GRECO-s”, shtoi Çuçul.

Zgjedhja e Adem Çuçul si kryetar i KSHPK-së u mbështet më 3 dhjetor me shumicë prej 82 votash “pro” në Kuvend. Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime dy javë më parë emëroi unanimisht Adem Çuçulin për kryetar të KSHPK-së, pasi ai mori numrin më të lartë të pikëve nga të gjithë 10 kandidatët e vlerësuar nga Komisioni për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Kryetar të KSHPK-së.

Tatjana Dimitrovska. foto: Meta.mk
Tatjana Dimitrovska. foto: Meta.mk

Nevoja për një kryetar të ri në mes të mandatit u shfaq pasi Tatjana Dimitrovska u tërhoq gjatë verës, e akuzuar për zbulim të sekretit zyrtar në një rast korrupsioni dhe për mashtrim gjatë marrjes së certifikatës për informacione të klasifikuara.

Tani Çuçul gjendet përballë sfidës për t’u përballur me imazhin e një komisioni të diskredituar dhe të heshtur, të zënë në interpretimin dhe praktikimin e ngushtë të kompetencave të tij.

Gjegjësisht, gjashtë anëtarët e Antikorrupsionit, të udhëhequr nga revizorja shumëvjeçare Dimitrovska, nuk “hynë thellë” në rastet me profil të lartë që përfshinin kryeministrin dhe krerët e parë të policisë sekrete dhe Agjencisë së Inteligjencës.

Ata nuk panë arsye për një hetim shtesë lidhur me shpenzimet e udhëtimit të djalit të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili e shoqëroi atë në vizitën zyrtare në SHBA, ndonëse u zbulua se udhëtimi dhe qëndrimi i tij ishin paguar në para të gatshme. Ata u shpallën jokompetentë për të konstatuar ligjshmërinë e emërimeve të drejtorit të ANB-së, Bojan Hristovski, dhe zëvendësdrejtoreshës në Agjencinë e Inteligjencës, Ivana Stojanovska.

Reputacioni i përbërjes aktuale nuk është i dëmtuar vetëm në Maqedoni.

Komisioni Evropian së fundmi vlerësoi se komisioni “heziton në zgjidhjen e rasteve politikisht të ndjeshme”.

Dhe komunikimi i tij me publikun ishte i pamjaftueshëm, thuhet në raportin vjetor për progresin e vendit në integrimet në BE.

Komisioni prej shtatë anëtarësh, i cili muajin e kaluar zhvilloi intervistat me dhjetë kandidatët, përbëhet nga katër deputetë, nga dy nga pushteti dhe opozita, një përfaqësues i Avokatit të Popullit dhe dy përfaqësues të sektorit joqeveritar.

Kryetari tashmë i ri i KSHPK-së, në intervistë theksoi se tema e pasurisë së funksionarëve i “përshtatet” dhe se gjithë karrierën e ka ndërtuar në sistemin për ndjekjen e kësaj problematike.

“Kompetenca për ndjekjen e gjendjes pronësore është lënë pas dore”, tha ai.

Adem Çuçul, kryetar i Antikorrupsionit. Fotografi nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut

Ai vuri në pah se softueri për ndjekjen e pasurisë së funksionarëve nuk është zbatuar plotësisht dhe se KSHPK-ja, në vend të 17 të parashikuar me ligj, është e lidhur në mënyrë elektronike vetëm me pesë institucione, gjë që e vështirëson hetimin e saj.

Nëse kësaj i shtohet edhe jo-azhurnimi i institucioneve, rezultati është, thotë Çuçul, që nuk kemi një numër të saktë dhe përfundimtar të funksionarëve.

“Një situatë e tillë lejon grumbullimin e funksioneve”, tha ai në intervistë.

Ndonëse për gjysmë ore, sa zgjatën intervistat, është e pamundur të fitohet një pamje reale, Çuçul u dallua nga kandidatët e tjerë, me atë se e zotëronte lëndën në detaje, dhe ndryshe nga shumica e kandidatëve, nuk lexonte nga materiale të përgatitura.