“Skupi Kamerfest” vijon me dy koncerte të tjera deri më 5 nëntor
Edicioni i nëntë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi Kamerfest” vijon në Shkup, me një program prej pesë mbrëmjesh koncertale me artistë nga vendi dhe skena ndërkombëtare, shkruan Portalb.mk.
Në programin e mbrëmshëm ishte koncerti “Con Brio”, me violinistin francez Vadim Tchijik dhe pianisten Nita Grubi, me vepra të Mendelsonit dhe Dvorzhakut. Kjo ishte mbrëmja e tretë e paraparë në kuadër të festivalit.

Programi nisi më 10 tetor me koncertin “Caprice Viennoise”, me violinistin Gernot Winischofer dhe pianistin Denis Javorsky nga Austria. Ndërkaq, më 12 tetor ishte paraparë koncerti “Trompeta Spanjolle”, me trompetistin spanjoll Vicente Campos dhe artistët mysafirë Stefan Iliev nga Maqedonia e Veriut dhe Avni Krasniqi nga Kosova.
Mbrëmja e radhës do të mbahet më 23 tetor. Koncerti “Dy zëra, katër duar” do të sjellë pianistët Sugiko Chinen dhe Luca Arnaldo Maria Colombo, me vepra të Grigut, Shubertit, Rosinit dhe Puçinit.
Festivali do të përmbyllet më 5 nëntor me koncertin “Këngë pa fjalë” të ansamblit “Amatis Trio”, me vepra të Shubertit dhe Mendelsonit.
Sipas programit të publikuar, të gjitha koncertet mbahen në Muzeun e Luftës së Maqedonisë në Shkup, me fillim në orën 19 e 30 minuta. Festivali mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe partnerë të tjerë.

LEXO: Shkupi do të jetë nikoqir i edicionit të nëntë të festivalit “Skupi Kamerfest”