Vrau babanë, hetim për 28 vjeçarin nga Shkupi

28 vjeçari nga Shkupi e ka vrarë babanë e tij më 7 nëntor duke i shkaktuar plagë me thikë në trup dhe kokë. Për këtë, Prokuroria njoftoi se prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetuese kundër tij i cili dyshohet për veprën penale Vrasje nga neni 123 paragrafi 2 pika 2 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

“Në momentin që viktima ka tentuar të mbrohet, duke lëvizur në drejtim të korridorit, është rrëzuar përtokë dhe i dyshuari ka vazhduar ta godasë me thikë në të gjithë trupin derisa ka ndërruar jetë”, informoi Prokuroria.

Nga atje bëjnë me dije se prokurori publik kompetent i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, sepse ekzistojnë baza ligjore që tregojnë se masa e paraburgimit është e nevojshme për mbarëvajtjen e procedurës dhe për sigurimin e pranisë së të dyshuarit.