Volibollistja Erjona Jonuzi: Një goditje me top mund të tregojë forcën e krahut, por një vajzë që beson në ëndrrat e saj lëviz botën

Nga një vajzë e vogël me ëndrra të mëdha në Maqedoninë e Veriut, në skenat evropiane të volejbollit, rrugëtimi i Erjona Jonuzit është historia e përkushtimit, guximit dhe besimit në vetvete. Ajo nuk është thjesht një emër i njohur në sportin vendor, por një shembull i vajzës që sfidon paragjykimet, tejkalon lëndimet dhe e kthen pasionin në profesion. Fituesja e çmimit MVP në kampionatin evropian, kapitene e Rabotniçkit dhe inspirim për shumë vajza të reja, Erjona tregon për Portalb.mk se si forca e një sportisteje nuk matet vetëm me goditjen e topit, por me vendosmërinë për të mos u dorëzuar kurrë.

Portalb.mk: Çfarë ndjen një vajzë shqiptare nga Maqedonia e Veriut kur ngjitet në skenën ndërkombëtare dhe fiton çmimin MVP në një kampionat evropian?

Erjona Jonuzi: Ndjesia është e papërshkrueshme për këdo nga sportistët e Ballkanit kur del në Evropë. Sepse e kemi më të vështirë me kushtet që kemi nëpër vendet tona, por si shqiptare e Maqedonisë ndjehem shumë krenare që mundem të përfaqësoj kombin tim dhe vendin tim në Evropë.

Portalb.mk: A është volejbolli për ty më shumë pasion, mision apo rebelim ndaj paragjykimeve që shpesh rrethojnë vajzat sportive?

Erjona Jonuzi: Volejbolli për mua është pasion i papërshkrueshëm, i cili njëkohësisht është edhe profesioni im. Sa i përket rebelizmit, nuk ka të bëjë aspak. E vërtetë është që në vendin tonë mentaliteti është i atillë që ua vështirëson gjinisë femërore rrugëtimin sportiv, por unë kam shikuar aspektin profesional dhe qëllimin për të arritur të ndërtoj një karrierë sa më të mirë dhe të kompletuar, duke u përpjekur në maksimum t’i shmangem fjalëve apo paragjykimeve të njerëzve. Thjesht kam parë punën time dhe rezultatet kanë ardhur vetvetiu.

Portalb.mk: Cila ishte ajo ndeshje që të bëri të kuptosh se Erjona Jonuzi nuk do të ndalej më?

Erjona Jonuzi: Vetëbesimin e kam pasur gjithmonë shokun më të mirë, por nëse do të dalloja një nga ndeshjet e mia të shumta të mira, si më e veçantë do të ishte ndeshja me reprezentuesën e vendit tonë kundër Letonisë. Në atë ndeshje ndërkombëtare unë fitova çmimin MVP si lojtarja më e mirë e ndeshjes, edhe pse pozicioni im si pasuese nuk më favorizon për t’u shpallur lojtarja e ndeshjes, por me përkushtim maksimal, duke e bërë kështu diferencën, rezultatet erdhën. Nga ajo ditë edhe unë isha më e motivuar, por edhe u pikasa akoma më shumë nga klubet e huaja jashtë vendit.

Fotografi nga arkivi personal i Erjona Jonuzit: Foto: Erjona Jonuzi
Fotografi nga arkivi personal i Erjona Jonuzit: Foto: Erjona Jonuzi

Portalb.mk: Kur të tjerët pushonin, ti stërviteshe çfarë të shtynte të mos dorëzoheshe?

Erjona Jonuzi: Është e thjeshtë dashuria për volejbollin! Nuk është matematikë e komplikuar kur do diçka më shumë se gjërat e tjera, vetëm bën atë që të thotë zemra dhe nuk e ndjen presionin e të provuarit veten nga qejfet e shumicës apo daljet e harbuara që mund të thyejnë disiplinën e një profesionisteje.

Portalb.mk: Kur e ke ndjerë për herë të parë se ke fituar jo vetëm ndeshjen, por respektin e publikut?

Erjona Jonuzi: Ka shumë, por do të veçoja dy momente: njëri, suksesi i vazhdueshëm me Rabotniçkin dhe të zgjedhurit si kapitene e Rabotniçkit. E dyta, ndeshja Maqedoni vs Letoni ka qenë një ndër ndeshjet kur, pas shpalljes sime si MVP dhe duke qenë shqiptare e vetme në reprezentacionin e Maqedonisë, publiku më nuk më veçonte më në baza etnike, por duartrokiste kualitetin tim dhe spektaklin që përpiqesha ta dhuroja.

Portalb.mk: Si u ndjeve kur u bëre kapitene e Rabotniçkit përgjegjësi apo kurorë suksesi?

Erjona Jonuzi: Kurorë suksesi pa dyshim, por me një përgjegjësi shumë të madhe mbi supe!

Portalb.mk: Pas dëmtimit në gju, a kishe momente kur mendoje të dorëzoheshe?

Erjona Jonuzi: S’di sa e dini, por unë të dy gjunjët i kam të dëmtuar me këputje ligamentesh (ACL) dhe herën e parë jo e jo që doja të dorëzohesha, sepse isha shumë e vogël dhe nuk i mendoja aspak rreziqet, por edhe tani, herën e dytë para tetë muajve, nuk e mendoja aspak dorëzimin, sepse sapo kisha prekur ëndrrën të luaja në kampionatet evropiane, siç është “Extra Liga” e Sllovakisë. A e kam pasur vështirë!? Nuk diskutohet, madje edhe tani që e mendoj, prekem emocionalisht. Sepse kam vuajtur shumë, por mentaliteti im i fituesit nuk njeh dorëzim, të paktën deri më sot. Edhe pse shëndeti mbi të gjitha!

Portalb.mk: Çfarë ke mësuar nga dhimbja dhe rikthimi në sport, por edhe në jetë?

Erjona Jonuzi: Lëndimet janë pengesë pa dyshim, por unë i kam parë si rritje profesionale e personale. Pas lëndimeve, sportisti gjithmonë del më i pjekur, edhe si sportist, por edhe si person.

Portalb.mk: Nëse do të kishe mundësi të ndryshoje diçka në sportin e vajzave në Maqedoni, cila do të ishte ajo?

Erjona Jonuzi: Do t’u jepja grave dhe vajzave të sportit zërin dhe vlerësimin që e meritojnë. Kushte më të mira dhe shuarjen e paragjykimeve.

Fotografi nga arkivi personal i Erjona Jonuzit: Foto: Erjona Jonuzi
Fotografi nga arkivi personal i Erjona Jonuzit: Foto: Erjona Jonuzi

Portalb.mk: Cila është ëndrra jote e madhe Kombëtarja, Evropa apo Olimpiada?

Erjona Jonuzi: Nuk mund ta ndaj asnjërën! Sepse secila është sukses më vete. Por meqë të tjerat i provova, tani më ka ngelur vetëm olimpiada si ëndërr akoma e pa përmbushur.

Portalb.mk: A e mendon ndonjëherë se pas disa vitesh do të jesh trajnuesja që do të rrisë një brez të ri vajzash të forta si ti?

Erjona Jonuzi: Jetës nuk i dihet, por absolutisht që po! Pastaj rrjeti që kam krijuar me sukseset e fundit dhe eksperiencat që kam marrë në sport, besoj do të më mundësojë të jem vërtet një trampolinë e mirë për gjeneratat e reja të vajzave që do të jenë talente të volejbollit.

Portalb.mk: Çfarë është më e fortë: një goditje me top apo një vajzë që beson në ëndrrat e saj?

Erjona Jonuzi: Për mua, një goditje me top mund të tregojë forcën e krahut, por një vajzë që beson në ëndrrat e saj lëviz botën. E besoj me gjithë zemër këtë.

Portalb.mk: Cili do të ishte mesazhi i juaj për gjithë lexuesit tanë?

Erjona Jonuzi: Fokusohuni në atë që doni, ëndërroni apo edhe në atë që mendoni se i përkisni, dhe suksesi mund të vonojë, por kurrë nuk ngelet pa ardhur. Pavarësisht pengesave që dalin, profesionistët e vërtetë dinë si t’u bëjnë ballë. Pjesa tjetër ngelet në duart e Zotit.