Fanatizmi partiak

“’Fanatiku i mirë’ është gjithnjë gati për të shtruar argument(e).”

karikaturë, Schulz

18 tetor. Një ditë para zgjedhjeve në RMV. Kohë e pushimit trupor dhe mental. Nga rutina e punës dhe gjithë ai cunami i agresivitetit fraksionar politik që flet për kulturën tonë kolektive politike. Energji negative shpërthyese nga prijësit e deri te qytetari i thjeshtë që është në gjendje që të mbrojë kauzën e vet me të gjitha mjetet, për çka një pjesë të madhe të fajit e mbartin mbi supet e veta gurutë, liderët që elektrizojnë masat përmes propagandës dhe kushtrimit në kushte paqeje. Një tablo shqetësuese për çdo njeri normal në një epokë post-TV kur marketingu më i madh bëhet përmes rrjeteve apo medieve sociale që në mbërthejnë në të katër anët.

Analiza e ligjëratës (discourse analysis) së fushatës 2025 nxjerr në pah një fjalor denigrues të fanatizmit si një dukuri sociale për të cilën qëmoti ka shkruar Ibn Khalduni gjatë elaborimit të termit asabijjet. Shto kësaj edhe sjelljet që kapërcejnë vijën e kuqe, që konstruktojnë “oponentin”, “armikun” nga tjetri politik. E gjithë kjo kalon në një ekstremizëm që mbyll sytë para çdo fakti, që nuk dëgjon as zërin e të ndriturit, shkollarit, të urtarit, as të familjarit, prindit. Gjendje transi, kur humbet kontrolli totalisht. “Gjendje e ‘përleshjes’ së çdokujt kundër çdokujt”. Për interesa parciale. Kontekst kur nuk shihen të metat vetjake, por vetëm të tjetrit, të atij nga radhët e “partiakut të anatemuar”. Kur etiketat negative nxirren prej xhepi dhe ngjiten gjithandej. Kur dhuna fjalësore, ka posibilitet të shndërrohet në dhunë fizike.

Fanatizmi është një fenomen që shpërthen në veçanti në gjendje të krizave, që karakterizohet nga mungesa e kritikës dhe rigjiditeti në mendim. I referohet një fenomeni psikologjik ku njerëzit shfaqin një përkushtim të tepruar ndaj diçkaje – qoftë një besimi (feje), ideologjie, pikëpamjeje politike apo një skuadre sportive – dhe e mbrojnë këtë përkushtim pa e vënë në dyshim fare. Është një tribalizëm apo fisnorizëm që mund të arrijë deri në shkallën e primitivizmit, kur humben tiparet e civilizimit, ndonëse përdoren parulla si demokracia, Europa, Perëndimi, vlerat moderne-liberale, “epoka digjitale”, që janë vetëm fasadë, ndërsa realiteti invers, banalitete dhe kundërkulturë me shumicë që irritojnë arsyen e njerëzve “të parobëruar politikisht”. Në këtë segment politikbërësit dhe tajfa e militantëve mbrojnë të pambrojtshmen, premtojnë të paarritshmen, arsyetojnë të paarsyeshmen. Gjendje e vërtetë manie. Këtë më së miri e analizon historiani britanik Eric Hobsbawm në veprën e tij Primitive Rebels.

Sipas Andrew Poe (2021), fanatizmi është boshllëk idesh –një identitet i aplikuar për të degraduar tjetrin, formë e kundërshtimit të kompromisit dhe empatisë, kurse për Alberto Toscano-n është një politikë e bindjes së zjarrtë dhe të pakushtëzuar. Pra është një formë e nënshtrimit, që është tipike për religjionin, për besimin fetar, andaj gjetjet mësojnë se fanatiku është një “besimtar dogmatik” i palëkundshëm, që ndjek urdhrat symbyllur.

Po çfarë e bën një njeri të logjikshëm fanatik politik që harron mesatarinë (moderimin) që është normë e jetës normale. Sipas Karen Detweiler (2024) janë disa arsye apo shtytës:  (1) Trauma. (2) Padrejtësia (reale ose e perceptuar). (3) Pasiguria e thellë lidhur me jetën, shëndetin ose të ardhmen— përfshirë familjen dhe miqtë e afërt. (4) Nevoja për të krijuar një ndjenjë kuptimi dhe qëllimi në jetë, duke përfshirë edhe një arsye për vuajtjet e përjetuara. (5) Prania e një udhëheqësi karizmatik që ofron shpjegime të thjeshta dhe një rrugë të qartë përpara. Rick Larsson radhitjen shkaqeve të fanatizmit e bën si vijon: Zhgënjimi i plotë me gjendjen ekzistuese (status quo-në). Ndjenja e shkëputjes së plotë nga shoqëria dhe drejtimi në të cilin ajo po shkon. Ndjenja e  zemërimit si pasojë e të qenët i mashtruar.

Lidhja fanatike me partitë tregon se simbolet politike janë shndërruar në kult, në qenie të shenjtë, në një diçka religjioze, para të cilës të dobëtit dorëzohen dhe për hir të saj janë në gjendje të bëjnë gjithçka, të sakrifikojnë. Vërtet të vjella të kapin kur lexon dhe dëgjon fjalorin që ka qarkulluar këta dy muajt e fundit nëpër komentet e medieve sociale dhe portalve. Hajde të themi “politikë është”. Po ama edhe aty duhet të ketë kufij, një etikë e kod. Shigjetimi me gjithë arsenalin dhe pa rezervë është irracional. Interesat e determinojnë jetën, por ka një superstrukturë që na bën qenie humane, që na dallon nga llojet tjera të ekzistencës. Komunikimi toksik shpie në humnerë, kurse puna në terren që është e dukshme në terren flete vetë. S’mund të diskuothet për vlera në një mjedis ku pjesë e platformës faktike janë  psikotizimi,  animalizimi i tjetrit politik, fyerjet frojdiane… ku mbizotëron vetëskllavërimi. Për momentin kemi një thatësirë të filozofisë politike shqiptare në vend, kemi vetëm “luftë politike” mes taborreve antagoniste.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.