VMRO-DPMNE propozon platformë për bashkim me të cilën kërkon t’u jepet fundi “kërkesave etnike”
Lidhja Socialdemokrate (LSDM) duhet të pastrohet nga krimet e veta dhe të reformohet, e më pas të pranojë unitet për çështjet më të rëndësishme për shtetin, pra atë që e ka ofruar kryeministri Hristijan Mickoski si platformë për bashkim. Këtë e porositi VMRO-DPMNE në pushtet, pasi dje kryeministri Mickoski në fjalimin e tij në festën qendrore të Ditës së Pavarësisë – 8 Shtatori, shpalli dhjetë parime rreth të cilave, siç tha ai, duhet bashkimi dhe kohezioni i të gjithë faktorëve në shoqëri dhe jo vetëm i pushtetit “apo disa partive në opozitë”, transmeton Portalb.mk.
“Këto janë partimet për unifikim: drejtësi dhe shtet ligjor, fundi i partizimit të shoqërisë, fundi i konflikteve etnike dhe kërkesave megalomane pas të cilave fshihen interesat fitimprurëse, për të mbrojtur dhe përmirësuar standardin e qytetarëve, shoqëri e drejtë, arsim i fortë, përmbushja e qëllimit strategjik për anëtarësim në BE, bashkimi kombëtar dhe shtetëror, lufta kundër emigrimit, ndërtimi i patriotizmit të përbashkët”, thuhet në kumtesën e VMRO – DPMNE-së.
Nga kjo parti theksojnë se, me politikë hipokrite dhe dyftyrësie, si dhe me kuadrot e njëjta dhe të harxhuara nuk ndërtohet unifikim.
10 parimet e platormës së propozuar të Mickoskit:
- Sundim i së drejtës – sigurim i drejtësisë dhe shtetit të së drejtës
- Departizim – t’i jepet fundi partizimit në të gjitha institucionet
- Stabilitet – parandalim i kërkesave megalomane etike si mënyrë e fshehjes së interesave fitimprurëse partiake dhe lukrative
- Standard më të mirë jetësor – mbrojtje dhe avancim i standardit të qytetarëve
- Drejtësi sociale – krijim i një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse
- Arsim – rritje e cilësisë së arsimit për të gjithë
- Integrime evropiane – përmbushje e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian
- Bashkim nacional – përforcim i bashkimit nacional dhe shtetëror
- Parandalim i migrimit – luftë kundër emigrimit të të rinjve dhe personave të kualifikuar
- Patriotizëm i përbashkët – ndërtim i një patriotizmi i cili i unifikon të gjithë qytetarët
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski e shpalosi këtë platformë më 8 shtator, gjatë ceremonisë qendrore të shënimit të përvjetorit të pavarësisë së shtetit. Në fjalimin e tij, ai i bëri thirrje gjithë partive politike që të pranojnë propozimin e tij për një platforme maqedonase për ardhmërinë.
“Pranojeni atë që unë ofroj si platformë. Le të ulemi të gjitha partitë dhe të gjithë aktorë në një tryezë të përbashkët dhe të ndërtojmë një platformë maqedonase për veprim, për të ardhmen dhe epokën e ardhshme. Nga ne varet, e ardhmja është në duart tona dhe ne mund ta bëjmë. Me këtë rast dua t’i drejtohem opozitës, e cila po zhytet në mungesë ideje dhe konstruktiviteti. Ju bëj thirrje të ndaloni lojërat destruktive. Ka ardhur koha që ju të hapni një faqe të re në të cilën do të jeni pjesëmarrës aktiv në ndërtimin e shtetit të përbashkët. Opozita e fortë është e rëndësisë thelbësore”, u shpreh Mickoskit.