RMV shënon Ditën e Pavarësisë, liderët maqedonas bëjnë thirrje për unifikim rreth interesave të “Maqedonisë sonë”
Maqedonia e Veriut sot shënon Ditën e Pavarësisë – 8 shtatorin, e cila këtë vit shënohet me disa aktivitet nën organizim të Qeverisë me sloganin “Së bashku luftojmë, së bashku do t’ia dalim!” , transmeton Portalb.mk.
Ngjarja qendrore po mbahet në Filharmoninë e Maqedonisë së Shkup, e cila është pjesë e iniciativës më të gjërë të Qeverisë për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e pavarësisë dhe luftës së përbashkët të qytetarëve për ardhmëri më të mirë.
Duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për shtetin e Maqedonisë, presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova në urimin e saj ka shkruar se, fatkeqësisht, thotë ajo, pas 33 vitesh, entuziazmi dhe shpresa janë lënë në hije nga sfidat e shumta me të cilat jemi përballur si vend, nga presionet e jashtme dhe bllokadat joparimore, përmes ndarjeve të brendshme, e deri te krizat politike dhe të sigurisë.
“Gjatë viteve kemi pasur suksese dhe gabime, dhe ulje-ngritje. Mundësitë e humbura, partishmëria dhe politizimi i kudogjendur dhe korrupsioni kronik i largojnë qytetarët dhe i dëbojnë të rinjtë. Është detyra jonë të lëmë mënjanë përçarjet dhe të bashkohemi rreth të mirës së përbashkët dhe interesit publik”, ka shkruar ajo.
Kryeministri Hristijan Mickoski përmes një shkrimi në rrjetet sociale uroi Ditën e Pavarësisë – 8 Shtatorin, për të cilën thotë se është feneri më i madh i ekzistencës së shtetit maqedonas, transmeton Portalb.mk.
“Në këtë ditë për herë të parë në sheshin “Maqedonia” ku u kremtua pavarësia u dëgjuan fjalët “Urime Republikën sovrane dhe të lirë të Maqedonisë”. Në të njëjtën kohë, të mos harrojmë se 8 shtatori është aspirata e mijëra luftëtarëve të mëparshëm për një vend të lirë dhe të vetën. Asokohe po ndërtoheshin themelet e Republikës dhe po krijoheshin institucionet, por edhe sot kemi beteja që duhet t’i fitojmë, së bashku, të ndryshme, edhe pse të ndryshme, por po aq të rëndësishme”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
Në këtë drejtim, Mickoski nënvizon se duhet ta tejkalojmë zhgënjimin që, siç thotë ai, na la krimi dhe korrupsioni, të cilat sot janë problemet më të rëndësishme me të cilat po luftojmë.
“Le të investojmë çdo atom të forcës sonë në ndërtimin e një të ardhmeje që çdo person e meriton. Këtë herë shteti është në lëvizje dhe ne po ia kthejmë atë popullit. Le të krijojmë një vend me qytetarë të lumtur dhe një ekonomi të fortë. Një shoqëri që do t’i përgjigjet nevojave reale dhe do të ofrojë zgjidhje reale. Të mbrojmë njerëzit tanë këtu në atdheun tonë”, thotë kryeministri në mesazhin e urimit.
Kjo gjeneratë, tha ai, ka për obligim që të korrigjojë gabimet dhe të krijojë një të ardhme për të gjithë në vijim.
Duke iu referuar motos së përvitshme të festës së Pavarësisë “Së bashku luftojmë, së bashku do ia dalim”, kryeministri thekson se kjo është beteja jonë e përbashkët.
Ndërkaq, lideri i LSDM-së opozitare, ka shkruar se, sot vendi ynë po përballet me shumë sprova, të cilat na kërkojnë të tregojmë pjekuri, kohezion dhe vendosmëri edhe më të madhe. Na presin kohë kur duhet ta ruajmë atë që është fituar me shumë mund – demokracinë. Ai thotë se sot 8 shtatori dhe 33 vjetori i pavarësisë së, siç thotë ai, Maqedonisë sonë, na kujtojnë forcën, bashkimin dhe guximin që patëm kur zgjodhëm rrugën e sovranitetit dhe pavarësisë.
“Në 33 vitet e fundit, atdheu ynë është ndërtuar si një shtet i pavarur, sovran, i vendosur për të zënë vendin e tij në skenën evropiane dhe botërore. Kjo rrugë nuk ishte e lehtë dhe ishte e mbushur me sfida, por edhe me shumë arritje. Rruga që zgjodhëm tre dekada më parë është konfirmim i vullnetit tonë kolektiv për dinjitet dhe prosperitet”, ka shkruar Filipçe në Facebook.
Në vitin 1991, u mbajt referendum ku mbi 95 përqind e qytetarëve u deklaruan se janë për shtet të pavarur dhe sovran të Maqedonisë.