VMRO-DPMNE akuzon partitë opozitare se po bllokojnë Kodin Zgjedhor
Partitë politike në RMV kanë vazhduar të përplasen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Së fundmi, VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj bllokimit të Kodit Zgjedhor, duke akuzuar partitë opozitare LSDM, Levica dhe BDI, se ndonëse paraqesin arsyetime të ndryshme, kanë të njëjtin qëllim, të pengojnë miratimin e ndryshimeve për shkak të rënies së mbështetjes dhe frikës nga humbja në zgjedhjet e ardhshme, shkruan Portalb.mk.
Nga VMRO-DPMNE thonë se secila nga partitë opozitare ka dalë me arsyetime të ndryshme për bllokimin e Kodit Zgjedhor, duke krijuar konfuzion te qytetarët.
Sipas VMRO-së, LSDM kundërshton lehtësimin e votimit për diasporën maqedonase, Levica fillimisht ka përfituar më shumë mjete financiare dhe më pas është tërhequr nga mbështetja për Kodin Zgjedhor, ndërsa BDI ka vendosur kushte të reja lidhur me mënyrën e marrjes së vendimeve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
VMRO-DPMNE vlerëson se këto qëndrime nuk janë të rastësishme, por synojnë të pengojnë miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor reformues dhe të krijojnë, siç pretendojnë, një alibi për humbjen e opozitës në ciklin e ardhshëm zgjedhor.
Partia shton se pas veprimeve të opozitës qëndrojnë kalkulime partiake dhe përpjekje për të shmangur përballjen me qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.
Në fund, VMRO-DPMNE thekson se mbetet në qëndrimin se është e gatshme të pranojë të gjitha kërkesat e opozitës, për sa kohë që respektohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe mundësohet lehtësimi dhe zgjerimi i votimit të diasporës.
Ndryshimet më intensive u bënë para zgjedhjeve parlamentare të viteve 2011, 2014, 2016 dhe 2020, si dhe para zgjedhjeve lokale të 2017, 2021 dhe ciklit të fundit zgjedhor.
OSBE/ODIHR ka vlerësuar në disa raste se kjo praktikë e ndryshimeve të shpeshta e ul sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor.
Nëse vazhdohet kështu, Kodi Zgjedhor me shumë gjasa nuk do të përfshihet në ligjet reformuese të zbatuara për të cilat Maqedonia duhet të paraqesë raport në Komisionin Evropian më 15 korrik mbi atë që është bërë deri në fund të 30 qershorit.
Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.
Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.
- LEXO: Pas dy dekadash dhe mbi 30 amendamenteve, reformat zgjedhore në RMV ende të papërfunduara
- LEXO: Kodi Zgjedhor ende pezull, Mickoski: U kemi dhënë propozim, por opozita nuk ka ende qëndrim të koordinuar
- LEXO: Votimi i diasporës thelloi përplasjet politike në RMV, partitë larg marrëveshjes për Kodin Zgjedhor