VLEN: Pjesëmarrja ishte masive, dridhjet e fundit të “tërmetit” do të jenë më 8 maj

Në konferencën për shtyp që e mbajti pas mbylljes së kutive të votimit, Arben Taravari, kandidat i VLEN-it, në konferencë për media tha se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ishte shumë më masive se sa e zgjedhjeve të kaluara. Ai garantoi se vota e secilit qytetar do të jetë e sigurt, transmeton Portalb.mk.

“Në emër të koalicionit VLEN dhe në emrin tim personal dua të falënderoj të gjithë qytetarët që sot masivisht kanë dalë për të votuar. Tashmë e dimë që këto zgjedhje kanë pjesëmarrje shumë më të madhe në krahasim me zgjedhjet tjera, dhe çdo herë kur ka masivitet në zgjedhje kjo paralajmëron ndryshim. Ne si VLEN jemi të lumtur që e kemi fituar votën e shqiptarëve”, tha Taravari.

Ai shtoi se ndryshimi gjendet brenda kutive të votimit, duke shtuar se garanton se secila votë do të jetë e sigurt dhe vullneti demokratik i qytetarit do të shprehet ashtu siç duhet.

“Vota e shqiptarëve nuk duhet të preket. Tërmeti nisi sot me pjesëmarrje masive, por dridhjet e fundit do të jenë më 8 maj kur janë zgjedhjet parlamentare”, tha Taravari.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se rreth mesnatës do t’i shpallë rezultatet fillestare jozyrtare të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.

Më poshtë ndiqni gjitha zhvillimet e ditës së votimit minutë pas minuti. Klikoni linkun për të marrë më shumë informata.

LEXO: U mbyllën vendvotimet në Maqedoninë e Veriut për zgjedhjet presidenciale, të gjitha lajmet për procesin, minutë pas minuti (LIVE)