VLEN përballë BDI-së: Kush me Serbinë e Hungarinë dhe kush me BE e SHBA?
Akuzat dhe kundërakuzat për lidhjet me botën serbe midis dy blloqeve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk kanë të ndalur, ata sot përsëri kanë akuzuar njëra tjetrën se cila është “më serbe” se tjetra, raporton Portalb.mk.
Koalicioni VLEN thotë se ata janë me SHBA dhe Evropën, kurse Bujar Osmani me Lavrovin dhe Ballkanin e Hapur.
“Është më se e vërtetë se ose je me Uashingtonin dhe me Evropën, ose me botën serbe. Ne për një vit kemi zhvilluar takime të pandërprera, kemi thelluar bashkëpunimin me ambasadorë dhe me përfaqësues ndërkombëtarë, kemi realizuar mbi pesë vizita të liderëve të VLEN-it në Uashington. Bujar Osmani, pyetja është për ty: kujt ia ke hapur derën? Përveç darkave me Lavrovin dhe lidhjeve nëntokësore sërbo-malazeze, kush nga faktori ndërkombëtar ta ka hapur derën gjatë gjithë këtij viti? Askush. Ti gënjeve për takimin me ish-kryeministrin Nikola Gruevski, publikisht e mohove, por sot ka dëshmi të qarta që të nxjerrin zbuluar”, thanë nga VLEN.
Nga BDI theksuan se ata bënë anëtarësimin e vendit në NATO, nisën negociatat me BE-në, nisën dialogun strategjik me SHBA,udhëhoqeën OSBE-në në krizën më të madhe të sigurisë në Evropë dhe harmonizuan politikën e jashtme me atë të BE-së.
“Ndërkaq, kjo qeveri e Mickoskit dhe e VLEN-it ka sjellë një realitet krejt ndryshe: Kanë bllokuar negociatat me Bashkimin Evropian; Në vend të partneritetit strategjik me SHBA dhe BE, kanë zgjedhur partneritet strategjik me Hungarinë; Në vend të granteve dhe mbështetjes financiare të BE-së, prioritet po i japin kredive kineze përmes Hungarisë; Në vend të integrimit evropian, flasin për treg të përbashkët me Serbinë dhe Hungarinë. Ky është realiteti i VLEN-it: një Maqedoni e Veriut e lidhur gjithnjë e më shumë me “Botën Serbe” dhe përmes saj me “Botën Ruse”. Dhe këtë nuk e themi ne – këtë e konstatuan 461 eurodeputetë të cilët me votën e tyre miratuan raportin që flet qartë për këtë orientim të rrezikshëm”, thanë nga BDI.
Me afrimin e zgjedhjeve lokale, edhe tonet midis partive politike po ashpërsohen.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.
Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor.