VLEN më 9 maj do të zyrtarizojë bashkimin në një subjekt të vetëm politik
Më 9 maj, në Ditën e Evropës, koalicioni VLEN synon të formalizojë bashkimin e tij në një subjekt të vetëm politik, me një emër, drejtim dhe program të përbashkët. Ky proces pritet të finalizohet me pjesëmarrjen e rreth 850 delegatëve, të cilët do të votojnë për unifikimin e pesë subjekteve politike në një organizatë të vetme, transmeton Portalb.mk.]
Përfaqësues të këtij koalicioni e cilësojnë këtë hap si përfundim të një periudhe të gjatë fragmentimi politik dhe si një përpjekje për të krijuar një përfaqësim më të konsoliduar të shqiptarëve. Ata theksojnë se zgjedhja e 9 majit ka simbolikë të veçantë, duke qenë se përkon me Ditën e Evropës, që lidhet me idenë e bashkimit dhe bashkëpunimit.
“Një javë na ndan nga unifikimi më i madh shqiptar në vend. Më 9 Maj, në Ditën e Evropës, VLEN nuk do të jetë më vetëm bashkim subjektesh. VLEN do të bëhet një forcë e vetme, me një emër, një drejtim dhe një mision. Ky është momenti që e mbyll kohën e fragmentimit politik shqiptar. Për vite me radhë shqiptarëve u është shitur përçarja si pluralizëm, ndërsa interesi personal si patriotizëm. Kjo kohë po merr fund. Nën sloganin VLEN NJË, 850 delegatë do ta vulosin këtë proces historik. Pesë subjekte politike do të bashkohen në një trup të vetëm, për t’iu përgjigjur premtimit të dhënë shqiptarëve për një forcë të madhe, е gatshme për të folur me një zë. Nëntë maji nuk është zgjedhur pa arsye. Është Dita e Evropës, dita që simbolizon bashkimin si vlerë. Dhe pikërisht këtë vlerë VLEN po e kthen në shprehje politike shqiptare”, thonë nga VLEN.
Kujtomë se bashkimi i partive LD, BESA, ASH, LVV dhe Alternativa po paralajmërohet me muaj. Më 7 mars 2026, në Kosovë liderët e partive u takuan me kryeministrin kosovar, Albin Kurti nga ku dhanë mesazhin që më në fund po bëhen një parti.
Më herët, partitë në fjalë morën vendime për shkrirjen e organeve partiake me qëllim të bashkimit.
- LEXO: LD-ja e Izet Mexhitit vendosi të shkrihet në partinë VLEN
- LEXO: ASH-ja e Fetait e autorizoi Fetain të negocion për shkrirjen e koalicionit VLEN në parti politike
- LEXO: Kush do jetë lider i VLEN-it, Kasami apo Mexhiti?
- LEXO: Kasami i shpalosi vendimet e Kuvendit të Lëvizjes Besa, mes tjerash u shkarkua kryesia Qendrore (VIDEO)