VLEN-i shpalosi planin për përgjysmimin e kazinove, ndërkohë Fronti kërkoi vendosjen e tyre në hotele me pesë yje

Koalicioni i Frontit Europian ka kërkuar që me ndryshimet e propozuara të mbyllen tërësisht kazinot, bastoret dhe objektet tjera nga lojërat e fatit, ndërkohë VLEN-i ka propozuar largimin e tyre nga vendbanimet, transmeton Portalb.mk.

“Të mbyllim tërësisht kazinot, bastoret dhe objektet e tjera të lojërave të fatit. Sot në procedurë parlamentare lëshuam propozim ligjin për ndryshimin e ligjit për lojërat e fatit, të iniciuar shumë kohë më parë nga Aleanca për
Shqiptarët e që parasheh mbylljen e objekteve të lojërave të fatit në vendbanimet tona dhe veprimin e tyre vetëm në hotele me 5 yje”, deklaroi Elmi Aziri nga Fronti Europian.

Ai ka propozuar edhe rritjen e taksave për reklamimin e lojërave të fatit.

“Objektet e lojrave të fatit do të largohen nga shkollat, çerdhet, por jo vetëm, ato do të largohen edhe nga lagjet, fshatrat e qytetet, nga shtëpitë tona dhe do të veprojnë vetëm në objekte të mbyllura, hotele me pesë yje ku do të pamundësohet që të frekuentohen nga të miturit, si dhe nga qytetarët që vijnë nga kategori të
rrezikuara sociale”, deklaroi Aziri.

Halil Snopçe nga koalicioni VLEN vlerësoi që janë duke mbajtur premtimin parazgjedhor rreth trajtimit të dukurive negative, si lojërat e fatit. Ai ka theksuar se VLEN-i ka PLAN kundër lojërave të fatit.

Hapi i parë i këtij plani është që ta largojmë bixhozin nga shtëpitë tona. Falë vendimeve të gabuara, të papërgjegjshme dhe korruptive të Qeverisë së kaluar, duke hapur tre kompani të reja për organizimin e lojërave të fatit në internet, bixhozi përmes celularëve dhe kompjuterëve u bë pjesë e shtëpive tona dhe kështu të rinjtë u bënë synim edhe më i lehtë për t’u arritur”, deklaroi Snopçe.

Ai sqaroi që koalicioni qeveritar ka parashtruar kërkesë për interpretim autentik të neni 7, ku duhet të sqarohet nëse ka bazë ligjore që lojërat e fatit të jenë në internet, duke mundësuar qasje nga shtëpia.

“Pika tjetër e planit për ballafaqim me pasojat e dëmshme të lojërave të fatit është fillimi i procedurave të duhura gjyqësore për të vërtetuar keqpërdorimet e pozitave zyrtare dhe autorizim të të gjithë autoriteteve të cilët kanë marr pjesë në sjelljen e vendimeve të kundërligjshme lidhur me organizimin e llojeve të ndryshme të lojërave të fatit”, paralajmëroi Snopçe.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, më 1 korrik kishte paralajmëruar ndëshkim të personave përgjegjës në të kaluarën për shkeljet ligjore në lidhje me lojërat e fatit.

Snopçe sqaroi që një nga hapat e Qeverisë është edhe propozim-ligji që do të përgjysmonte numrin e objekteve të lojërave të fatit.

Ndryshe, pasi ndryshimet në ligjin për Lojërat e fatit nuk morën vota të mjaftueshme nga deputetët e Maqedonisë së Veriut në përbërjen e kaluar, të njëjtat ngelën të pa miratuara. Nga Lëvizja “Antibixhoz” ishin të zhgënjyer nga deputetët. Ata më herët kishin organizuar edhe protesta për largimin e këtyre objekteve nga vendbanimet, duke kërkuar edhe mbylljen e tyre.

Ndryshimet ligjore parashihnin që lokalet afariste në të cilat organizohen lojërat e fatit në bastore dhe në klubin e automateve, lotaria në ambiente të mbyllura dhe lojërat elektronike të fatit duhet të vendosen në një distancë prej jo më pak se 500 metra nga shkollat ​​fillore dhe të mesme.