RMV, është shpallur thirrje publike për projekte kapitale dhe infrastrukturore për komunat në vlerë prej 250 milionë euro
Është shpallur thirrje publike për projekte në vlerë prej 250 milionë euro, komunat mund të aplikojnë për projekte infrastrukturore nga fusha e kulturës, sportit, mjedisit jetësor, infrastrukturës rrugore, politikës sociale dhe arsimit, njoftuan në konferencë për media, kryeminstri Hristijan Mickoski dhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se qëllimi i kësaj thirrjeje të hapur publike është ndarja e mjeteve për komunat për projekte, realizimi i të cilave do të kontribuojë në përmirësimin e infrastrukturës në nivel lokal me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike, zhvillimin në komuna dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.
“Të drejtën për parashtim të aplikimit dhe propozim – projekte kanë komunat, komunat në qytetin e Shkupit dhe qyteti i Shkupit. Bëj apel sa më shumë komunave, pavarësisht prejardhjes politike të krerëve të komunave, që të marrin pjesë në këtë thirrje. Ne jemi Qeveri e të gjithë qytetarëve dhe synimi ynë është të përmirësojmë jetën e të gjithë qytetarëve. Këto para nënkuptojnë më shumë projekte dhe zgjidhje për qytetarët për rrugë të reja, bulevarde, shkolla, kopshte, ujësjellës, kanalizime, gjithçka që i nevojitet në thelb qytetarëve. Ky është projekti i parë i tillë i një karakteri kaq të gjerë për zhvillimin infrastrukturor të komunave në histori. 250 milionë euro nga buxheti qendror për nevojat reale të qytetarëve”, tha Mickoski.
Ai shtoi se në të kaluarën janë bërë projekte infrastrukturore në kryeqytet, por asnjëherë gjithkund dhe për të gjitha komunat në përmasa kaq të mëdha sa ishte paramenduar me këto 250 milionë euro.
“Deri në fund të këtij viti me këtë thirrje publike komunave do t’u vihen në dispozicion 6 miliardë denarë dhe kjo është faza e parë prej gjithsej 15 miliardë denarë ose 250 milionë euro për projekte kapitale. Do të monitoroj nga afër realizimin e projekteve dhe procesi do të jetë tërësisht transparent dhe i disponueshëm për inspektim nga i gjithë opinioni”, tha Mickoski.
Ndërkohë ministri Perinski tha se komunat mund të aplikojnë me një ose më shumë projekte infrastrukturore nga fusha e kulturës, sportit, mjedisit jetësor, infrastrukturës rrugore, si dhe nga fusha e politikës sociale dhe arsimit.
“Thirrja publike tashmë është hapur dhe shpallur në ueb-faqen e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe në ueb-faqen e Qeverisë dhe është shpallur në dy gazeta. Afati për plotësimin e formularit për aplikim është 7 ditë dhe i njëjti i plotësuar me propozim projektet nga komunat duhet të dorëzohet në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.
Më pas, në afat prej 10 ditëve, dokumentacioni i plotë i projektit, nga ana e komunave i dorëzohet ministrisë përkatëse nga zona e projektit, ku do bëhet vlerësimi i të njëjtit.Vlerësimi pritet të përfundojë në afat jo më të gjatë se 10 ditë dhe në bazë të së njëjtës, ministritë përkatëse përgatisin propozim vendim se cilat projekte do të financohen nga fusha e tyre dhe ai propozim vendim dërgohet për miratim në mbledhje të Qeverisë”, tha Perinski.
Mjetet do të ndahen nëpërmjet 6 ministrive përkatëse që korrespondojnë me fushën e projektit:
- – Ministria e Kulturës dhe Turizmit;
– Ministria e Transportit; - – Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë;
- – Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
– Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe
– Ministria e Sportit.
Për të ndjekur gjithë procesin, është formuar trup koordinues qeveritar, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe në të do të marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha ministritë përkatëse.
Kujtojmë nismën në fjalë e paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski më 30 qershor.