RMV, Vllatko Gjorçev është emëruar koordinator kombëtar për demografi dhe rini
Qeveria në seancën e mbajtur të martën vendosi hapjen e tre pozitave të reja për koordinator kombëtar. Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare, tash e tutje do të ketë koordinatorë kombëtarë për demografi, rini dhe burime njerëzore, për vetëqeverisje lokale dhe për sigurinë ushqimore. Është hequr posti i koordinatorit kombëtar për kohezion, transmeton Portalb.mk.
Koordinator nacional për demografi, rini dhe burime njerëzore, qeveria emëroi deputetin shumëvjeçar të VMRO-DMPNE-së, Vlladimir Gjorçev.
Ai promovon politika për rritjen e lindjeve dhe familjet e mëdha dhe shpesh herë ka kritikuar qeverinë e mëparshme për uljen e popullsisë.
“Vitin e kaluar 2023 u thyen të gjitha rekordet demografike negative dhe kjo do të thotë se po bëhemi një vend pa popull”, tha ai në një intervistë në TV24 në qershor të këtij viti.
Pas shumë vitesh angazhim ekskluzivisht politik, në vitin 2021, Gjorçev njoftoi se do t’i përkushtohej kompanisë së tij të marketingut.
Liliana Zaturoska, nga ana tjetër, është emëruar si koordinatore nacionale për vetëqeverisje lokale. Ajo ka qenë deputete e VMRO-DPMNE-së në disa përbërje parlamentare deri në vitin 2020. Përderisa kryetar i partisë ishte Nikolla Gruevski, Zaturoska ishte edhe kryetare e Unionit të Grave.
Bashkëpartiakeja e saj Verçe Micevska u emërua koordinatore nacionale në të njëjtën seancë qeveritare. Ajo punon në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari, dhe do të koordinojë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare.
Qeveria deri më tani ka emëruar edhe Pavle Trajanov si koordinator kombëtar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit, Blerant Ramadanin koordinator kombëtar për aplikimin e teknologjive të reja dhe Solza Grçevën si koordinatore kombëtare për reforma në arsimin e lartë.