VLEN akuzoi BDI-në për lidhje të ngushta me Mijallkovin dhe regjimin serb, BDI hodhi poshtë akuzat
Koalicioni VLEN ka akuzuar sot sërish BDI-në për lidhje të ngushta me rrjetin financiar serb. Zeqirja Ibrahimi, njëri nga liderët e VLEN-it tha sot se, aksionet të cilat sipas tyre, familjari i Ali Ahmetit ia ka shitur Alta Bankës nga Serbia, një vit më parë i ka blerë një kompani e afërt me ish drejtorin e DSK-së, Sasho Mijallkov, shkruan Portalb.mk.
“Blerja e aksioneve të AS “Senjak” nga Sasho Mijallkovi ose nga kompania e lidhur me të, “Best Vej Investment”, është bërë më 24.10.2024. Pra, kemi një linjë të qartë: Sasho Mijallkovi, ish shefi i DSK-së, njeriu i të gjitha skemave kriminale të regjimit në Maqedoni të Veriut, i shet aksione familjes së Ali Ahmetit, ndërsa familja e tij ndërmjetëson midis Sasho Mijallkovit dhe bankës serbe. Në fund është “Alta Banka”, një bankë e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, si blerës i fundit. Ka qenë indikative ajo fotografia në manastirin e Shën Naumit, por tashmë gjithçka është e qartë. Tash kemi edhe dëshmi financiare të kësaj lidhjeje. Maskat kanë rënë”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai shtoi se, me këtë lidhje, BDI-ja po e sjell botën serbe në Maqedoni të Veriut edhe përmes sistemit bankar.
“Të nderuar, kjo është vetëm një pjesë e mozaikut të lidhjeve midis BDI-së, Mijallkovit dhe Vuçiqit. Publiku do të mësojë gjithçka. Koha e së vërtetës ka filluar. Ky labirint finaciar kap një shumë totale prej mbi 20.000.000 EURO”, deklaroi Ibrahimi.
Por, BDI sot ka hedhur poshtë këto akuza. Arbër Ademi nga kjo parti, në një konferencë për media të mbajtur sot, i ka quajtur këto pretendime shpifje dhe trillime.
“Asnjëherë në më shumë se 20 vite ekzistencë nuk kemi qenë pjesë e rrjeteve të huaja financiare apo vendore e aq më pak pjesë e këtyre rrjeteve të cilat vijnë nga këto regjime shtypëse që shqiptarët i kanë përjetuar në lëkurën e tyre. Përkundrazi, çdo betejë e BDI-së ka qenë për barazi, për drejtësi, për rrugën euroatlantike dhe për rrënim të çdo ndikimi serb, rus apo ndonjë ndikimi që është armiqësor ndaj vendit në përgjithësi dhe ndaj shqiptarëve në veçanti”, tha Ademi.
Ai më tej tha se, banka serbe mban firmën e VLEN-it.
“Të gjitha këto që i theksova mbajnë firmën e Vlen-it. Konkretisht, zonja Bujare Abazi, kryetare e Komisionit për Letrat me Vlerë, më 10 shtator të këtij viti ka lejuar depërtimin e bankës serbe, Alta Banka, në Maqedoni, duke ia mundësuar kësaj banke që të blejë aksione”, tha ai.
Kujtojmë se, në maj të këtij viti Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës në Maqedoni njoftoi edhe se kishte marrë një njoftim se Alta Group dëshironte të bëhej pronar i shumicës dhe të fitonte kontrollin mbi Stopanska Bankën Manastir. Por, më 27 gusht Komisioni i Letrave me Vlerë i Maqedonisë (KLV) e pezulloi procedurën në të cilën kompania serbe Alta Group do të merrte në pronësi Stopanska Bankën Sh.A. Manastir. Sipas KLV-së, procedura u pezull me kërkesë të kompanisë serbe për shkak të një ndryshimi të blerësit brenda grupit.