RMV, hetim ndaj një burri që me kërcënime ka marrë para nga një grua që jetonte jashtë vendit

Një person është nën hetim nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, pasi dyshohet se gjatë dy muajve të fundit ka marrë para me kërcënime nga një grua që jetonte jashtë vendit. Ai e ka kontaktuar vazhdimisht gruan nëpërmjet telefonit dhe mesazheve në aplikacione të ndryshme, duke i bërë kërcënime për jetën e saj dhe të nënës dhe vëllait të saj, nëse nuk i paguante 15.000 euro, transmeton Portalb.mk.

I dyshuari i kishte dhënë asaj afat deri më 26 shtator për t’ia paguar paratë. Ata ishin marrë vesh që ajo t’i dërgonte 500 euro përmes Western Union, gjë që ajo e kishte bërë më 17 shtator. Për një shumë shtesë prej 4.500 euro, gruaja duhej të vinte në vend dhe t’ia dorëzonte personalisht përpara Klinikës së Onkologjisë.

Kur ajo mbërriti në vend më 25 shtator, e raportoi rastin në polici dhe, sapo i dyshuari 37-vjeçar erdhi në vendin e caktuar për të marrë paratë, ai u arrestua.

Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, rrezikun e arratisjes, mundësinë për të ndikuar mbi dëshmitarët dhe viktimat ose për ta përsëritur veprën, prokurori publik propozoi që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit.