Kasami: VLEN publikisht e akuzon Ali Ahmetin se është partner financiar i Aleksandar Vuçiqit

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe njëri nga liderët e Koalicionit VLEN, Bilall Kasami sot në konferencë shtypi akuzoi se lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti me familjen e tij po i shet pasuri bankës së regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Potencoi se Ali Ahmeti, premtonte themelimin e një banke shqiptare, por na e solli bankën serbe, njofton Portalb.mk.

“VLEN publikisht e akuzon Ali Ahmetin se është partner financiar i Aleksandar Vuçiqit dhe se e përdor fuqinë e tij politike për interesa personale dhe familjare në biznes. Qytetarët duhet ta dinë se BDI nuk është parti politike që i mbron shqiptarët në Maqedoni. BDI është firmë private e Ali Ahmetit që shërben për pastrim parash, për korrupsion dhe pasurim personal. Këto ditë Ali Ahmeti do të flasë dhe do të justifikohet se nuk ka ditur dhe se miku dhe djali i tij nuk i kanë treguar, se janë të rritur dhe bëjnë biznes vetë. Ne i përcjellim mesazhin se kemi prova për të gjithë lidhjen. Ne i përcjellim mesazhin që të mbledhë turpin dhe të tërhiqet. Ali Ahmeti, provat do t’i shohë edhe opinioni edhe organet e shtetit”, theksoi Kasami.

Ai tha se Ali Ahmeti është personalisht përgjegjës për futjen e bankave serbe në Maqedoni.

“Sot para jush paraqesim prova për aferën më të madhe politiko-financiare që e lidh liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, me regjimin e Aleksandar Vuçiqit në Serbi. Kompania “AS Senjak” nga Kërçova, e njohur për opinionin për shumë skandale tjera, e cila është në pronësi të mikut të Ali Ahmetit, përkatësisht babait të gruas së djalit të tij, ka poseduar mijëra aksione në Stopanska Banka – Manastir. Këto aksione në pronësi të familjes së Ali Ahmetit janë shitur pikërisht te Alta Banka nga Beogradi, në pronësi të Davor Macura – një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe bankë e lidhur drejtpërdrejt me regjimin serb të Aleksandar Vuçiqit. Kjo shitje ka ndodhur më 17.09.2025. Vetëm dhjetë ditë më parë. Ja ku është dëshmia. Ndërkohë që ju gënjejnë për patriotizëm, ndërkohë që i gënjejnë edhe partnerët e tyre të koalicionit, ata nga BDI i shesin pasuri bankës së regjimit të Aleksandar Vuçiqit. Shitje direkte e pasurisë nga familja e Ali Ahmetit te Alta Banka e Beogradit”, tha Kasami.

Ai shtoi se kjo nuk është një transaksion i rastësishëm biznesi, por, siç tha, është lidhje direkte e Ali Ahmetit me Aleksandar Vuçiqin. Potencoi se kjo është një lidhje financiare që e inkuadron regjimin serb në sektorin bankar të Maqedonisë. Kasami potencoi se kjo është provë që Ali Ahmeti nuk është vetëm partner politik me njerëz nga Serbia, por edhe pjesë financiare e rrjetit të Vuçiqit. Deklaroi se kjo është vetëm një pjesë e vogël e gjithë aferës dhe lidhjes së Ali Ahmetit me të gjitha strukturat antishqiptare në rajon dhe se opinioni do t’i shohë të gjitha.