Vitin e kaluar në RMV numri i studentëve u rrit me 2.3%, interes më të madh ka në shëndetësi dhe mbrojtje sociale
Gjithsej 53,535 studentë u regjistruan në studime universitare në vitin akademik 2024/2025, që është një rritje prej 2.3 përqind krahasuar me vitin e kaluar, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), transmeton Portalb.mk.
Nga numri i përgjithshëm i studentëve të regjistruar, shumica janë studente vajza, përkatësisht 31,734 ose 59.3 përqind e të gjithë të regjistruarve.
Shumica e studentëve, madje 76.8 përqind, vendosën të studiojnë në institucionet shtetërore të arsimit të lartë, ndërsa 23.2 përqind e mbetur janë të regjistruar në fakultete private.
Në vitin e parë të studimeve në vitin akademik 2024/2025, u regjistruan 14,644 studentë, që është 27.4 përqind e numrit të përgjithshëm. Nga këta, 13,825 studentë u regjistruan për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër po regjistrohen për herë të dytë ose më shumë, thuhet në raportin e ESHS.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një fushe studimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale rezultuan të jenë më tërheqëset, me 13,371 studentë të regjistruar. Ato pasohen nga afër nga fushat e biznesit, administrimit dhe drejtësisë me 10,839 studentë, dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit me 8,875 studentë.
Numri më i vogël i studentëve të regjistruar, 740, është në fushën e bujqësisë, pylltarisë, peshkimit dhe mjekësisë veterinare.
Kujtojmë se për shtatë vite në vend ka 17 mijë nxënës më pak, ndërsa numri i studentëve është zvogëluar për 7 mijë. Të dhënat u prezantuan në shkurt të këtij viti në një ngjarje në Fakultetin Ekonomik në Shkup, ku u prezantuan rezultatet e projektit “Skills4Justice”, i cili trajton çështjet që kanë të bëjnë me migrimin e popullsisë dhe që zbatohet në kuadër të programit Horizon të Bashkimit Evropian.