Viola Ymeri, fituesja që besoi në ëndrrën e saj: “Parisi ka qenë gjithmonë një ëndërr e madhe”
Baleti është një nga artet më të bukura, por edhe më të vështira. Pas elegancës që publiku e sheh në skenë, fshihen vite pune, disiplinë, përkushtim dhe sakrifica të heshtura. Pikërisht nga ky përkushtim vjen edhe suksesi i ri i Viola Ymerit, e cila u shpall fituesja e parë e Çmimit “Roxane Stojanov”, një çmim i krijuar për të mbështetur brezin e ri të balerinëve nga Maqedonia e Veriut. Ky çmim, i themeluar me nismën e Roxane Stojanov, balerinë Étoile e Operës Kombëtare të Parisit, i hapi Violës një mundësi të jashtëzakonshme: një qëndrim artistik dhe profesional në Paris, pranë një prej institucioneve më prestigjioze të baletit në botë. Për një vajzë të re që ëndërron skenat ndërkombëtare, kjo nuk është vetëm një arritje, por edhe një hap i rëndësishëm drejt realizimit të ëndrrave të mëdha. Në një bisedë për Portalb.mk, Viola Ymeri flet për emocionet e fitores, dashurinë për baletin, sfidat që sjell ky art dhe mesazhin e saj për të rinjtë që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e artit dhe vallëzimit.
Portalb.mk: Si e përjetove momentin kur u shpalle fituese e parë e Çmimit “Roxane Stojanov”? Çfarë nënkupton ky çmim për ju?
Viola Ymeri: Sinqerisht, ishte një moment shumë i veçantë dhe i papritur, asnjëherë nuk e kam menduar që ëndrrat aq herët do të më realizohen. Jam shumë falënderuese për këtë çmim, ky çmim më ka ndihmuar që të besoj edhe më shumë në ëndrrat e mia por edhe në veten. Jam me të vërtetë shumë falënderuese për gjithë përkrahjen dhe ndihmën që më kanë dhënë, profesoresha ime, familja dhe shoqëria të cilët kanë qenë ata që më kanë dhënë forcë që mos të dorëzohem nga ëndrrat e mia.
Portalb.mk: Çfarë pret më së shumti nga qëndrimi artistik në Paris dhe cili është ëndrra jote më e madhe në skenën ndërkombëtare?
Viola Ymeri: Paris Opera ka qenë gjithmonë një ëndërr shumë e madhe dhe bdinkëherë edhe e pabesueshme. Prej në moshë të vogël shpesh e imagjinoja veten në një qytet artistik siç është Parisi. Me këtë mundësi që mu dha, unë do të jap maksimumin për të treguar dashurinë dhe pasionin tim të madh për baletin.

Portalb.mk: Cili ka qenë sakrifica më e madhe që ke bërë deri tani për baletin? A ka pasur ndonjë moment kur ke menduar të dorëzohesh dhe çfarë të ka motivuar të vazhdosh?
Viola Ymeri: Baleti është një nga profesionet më të vështira, kërkon shumë dedikim, punë dhe kohë por unë asnjeher nuk e shof si sakrificë sepse pa mar parasysh veshtirësive, ato asnjëherë nuk krahasohen me ato momente të çmuara ku hapësira, muzika e skenës na japin lirinë të tregojmë permes ketij arti histori te ndryshme dhe plot emocion përmes çdo lëvizjeje.
Portalb.mk: Si do ta përshkruaje baletin për dikë që nuk e njeh këtë art dhe pse mendon se kërkon kaq shumë disiplinë?
Viola Ymeri: Baletin, shumica prej njerëzve, sidomos populli i shtetit tonë, nuk e vlerësojnë dhe nuk e kuptojnë sa duhet. Të gjithë mendojnë se është një art shumë i lehtë, sepse ne kur performojmë në skenë, tregojmë elegancë dhe plot kontroll, por askush nuk e di se kjo është pjesa më e vështirë në balet. Përmes çdo lëvizjeje të vështirë ne punojmë me shumë orë që të precizojmë çdo hap dhe të perfeksionojmë çdo lëvizje.
Portalb.mk: Pas këtij suksesi, cili është mesazhi yt për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut që ëndërrojnë të merren me art dhe vallëzim?
Viola Ymeri: Pas kësaj arritjeje, mesazhi im është që kurrë të mos dorëzohemi në ëndrrat tona, pavarësisht se sa momente të vështira, sa momente mosbesimi në vete dhe punën tonë, gjithmonë duhet ta mbajmë fokusin në qëllimin tonë. Të jem e sinqertë, gjatë këtij procesi unë nuk e kam menduar fare nëse do të fitoj çmim apo jo, qëllimi im ishte që ta jap maksimumin tim dhe të krijoj një verzion edhe më të mirë në kërcimin tim. Isha e fokusuar se çfarë prezence do të jap në skenë dhe çfarë lidhje mund të krijoj unë me skenën. Këto momente më ndihmuan që unë të krijoj një mentalitet më të mirë, ku më lejuan të fitoj liri edhe më të madhe në profesionin tim, sepse në fund baleti është art dhe arti është i mbushur me plot jetë.
