Hasanbegu mbytet në premtime, kanali i hapur helmon banorët me dekada kurse komuna hesht (VIDEO)

Kanalizimi i hapur në lagjen “Hasanbeg” të Shkupit po helmon banorët prej dekadash. Përveç erës së keqe dhe pamjes së tmerrshme, ky kanal përbën një rrezik të vazhdueshëm fizik, pasi në të mund të bjerë dikush në çdo moment. Banorët thonë se të gjithë zyrtarët premtojnë zgjidhje përpara zgjedhjeve, por më pas i harrojnë ato. Edhe kryetari aktual, Boban Stefkovski, nuk e mbajti premtimin e dhënë, ndërsa nga Komuna e Gazi Babës zgjedhin të heshtin, shkruan Portalb.mk.

Për vite me radhë, banorët e kësaj lagjeje të Shkupit kërkojnë nga autoritetet lokale të mbyllin kanalizimin që rrezikon seriozisht shëndetin e zonës. Megjithatë, kërkesat e tyre deri më tani kanë hasur në vesh të shurdhër, duke bërë që banorët të shprehen të revoltuar dhe të zhgënjyer nga kjo neglizhencë.

Sipas dëshmive të qytetarëve, në vendngjarje kanë qenë personalisht kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, bashkë me kryetarin e Komunës, Boban Stefkovski, si dhe ministrin e atëhershëm të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti. Ata patën premtuar zgjidhjen përfundimtare të problemit me kanalin në këtë lagje, por deri më tani në terren nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.

“20 vjet është ky problem, prej kur e mbaj mend unë. Gjeneratës time i shkoj koha me këtë problem. Na kanë premtuar shumë, secila parti që ka ardhur ka premtuar, por prapë asgjë nuk kanë bërë”, tha një banor.

“Unë e kam përjetuar edhe kur vërshimet janë bërë këtu. Një veturë më është prishur edhe pse nuk ka rëndësi vetura, aty kanë humbur edhe jetë njerëzish. Do të bëhet edhe më keq. Asnjëherë nuk pres të zgjidhet ky problem nëse shqiptarët janë kështu”, u shpreh një banor tjetër.

“Kanali duhet të bëhet. Nuk ka diskutim. Është marrë iniciativa, e ka thanë edhe kryetari i Parlamentit dhe kanë ardhë bashkë me kryeministrin dhe është bërë projekti”, deklaroi një banor i Hasanbegut.

Nga Komuna e Gazi Babës vazhdojnë të heshtin ndaj kërkesës së Portalb.mk,për të dhënë një përgjigje zyrtare se kur do të zgjidhet ky problem i kamosur. Kujtomë se edhe koalicioni VLEN, kishte premtuar se punimet kanë filluar dhe punët për rregullimin e këtij problemi do të zgjidhen shumë shpejtë.