Vesna Janevska i ‘fsheh’ personat që e kanë shkruar propozim-ligjin për arsimin e lartë, gjyq publik për ministren në UT (Video)
Ministrja e Arsimit Vesna Janevska nuk i tregon emrat të cilët e përpiluan Propozim-ligjin për arsimin e lartë i cili në opinion po përcillet me shumë ankesa. Ministrja u ‘grind’ me gazetarët se nuk mund të tregojë se kush e shkroi ligjin, pasi mund të paditet nëse i zbulon emrat. Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim e konsideron skandaloze mënyrën se si ministrja nuk i tregon emrat. Ndërkaq Janevska u përball me gjyq publik në debatin publik në Universitetin e Tetovës ku profesorët i shfaqën ankesat e tyre për ligjin dhe jo vetëm, shkruan Portalb.mk.
Emrat të cilët e kanë shkruar propozim-ligjin për arsimin e lartë mbeten sekret për publikun pasi ministrja e Arsimit Vesna Janevska nuk i tregon të njëjtën.
A është e vërtetë se ligjin e kanë shkruar Llazo Pendovski, Sonja Topuyovska, Marija Manevska, Llazo Jovevski dhe Samil Mallçeski nga Universiteti ‘Shën Kirili dhe Metodi’ si dhe Borçp Aleksov nga Ministria e Arsimit, emra që janë të afërt me qeverinë?
Kjo ishte pyetja që Portalb.mk ia parashtroi ministres, por Janevska duke tentuar t’i ikë përgjigjes filloi duke ju thënë gazetarëve të ndalojnë me dezinformata.
“Pjesë e emrave të cilët ju i lexuat janë profesorë me renome në UKM janë pjesë e rektoratit në UKM-së, një emër nuk është i saktë. Këto njerëz kanë marrë pjesë në krijimin e ligjit me të drejta të plota edhe nga UT ka pasur persona që kanë marrë pjesë në hartimin e ligjit….Do t’i pyes nëse lejojnë të publikohen, të gjithë në ueb-faqe…Juve nuk ju intereson ligji, juve u interesojnë njerëzit kush e kanë formuar… Nëse më garantojnë se nuk do më padisin për shkak se i kam zbuluar”, tha Janevska.
Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim e konsideron skandaloze mënyrën se si ministrja nuk i tregon emrat të cilët e përpiluan këtë ligj kaq të rëndësishëm.
“Ministrja para pak kohësh nuk i përmendi emrat e personave që e kanë përpiluar nënkupton se ligji është jotransparent, ligji për arsimin e lartë është interes publik, nuk është roman që mund ta shkruani me emër anonim, është ligj që ka interes publik dhe ka për qëllim rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, prandaj është shumë e rëndësishme të dihen emrat që e kanë përpiluar ligjin. Ministrja iu shmang përgjigjes të kësaj pyetjes që për ne përbën indikator se qeveria dëshiron ta fsheh se kush janë personat që e kanë hartuar ligjin”, tha Hodai.
Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli tha se në çdo fakultet janë miratuar vërejtjet e të gjithë profesorëve.
“Numri më i madh i vërejtjeve ka të bëjë me cenimin e autonomisë universitare”, tha Zendeli.
Debati midis profesorëve dhe ministres ishte ‘i nxehtë’ pasi profesorët shprehën shumë pakënaqësi për ligjin dhe për tema tjera. Ndërsa ministrja në fund tha se më shumë u ndje si në gjyq publik se sa në debat publik.

Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë mes tjerash parashikojnë mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.
Shkurtimi i programeve studimore me tre deri në pesë studentë ka shkaktuar revoltë të madhe në opinion, për çka kanë reaguar ashpër studentë dhe profesorë.
Reagime pati edhe për detyrimin që kuadri universitar, i cili ka aplikuar për zgjedhje në titull shkencor, deri në momentin e zgjedhjes të publikojë 3 deri në 4 punime shkencore në revista nga bazat e Web of Science ose Scopus.
Studentët, profesorët dhe shoqëria civile kanë reaguar edhe për shumë nene tjera të ligjit për të cilat kanë kërkuar ndryshime.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska ka njoftuar se vërejtjet e arsyeshme do të pranohet, kurse për ato problematiket do të diskutohet dhe arrihet marrëveshje.
Pas përfundimit të debatit publik, do të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë.
- LEXO: Të studiojmë falas dhe të mos na kushtëzojnë me blerjen e librave, kërkuan studentët në RMV gjatë debatit për Ligjin e ri për Arsimin e Lartë
- LEXO: MASH sot fillon vizitat në universitete në kuadër të debatit publik për Ligjin për Arsimin e Lartë
- LEXO: Janevska: Vërejtjet e arsyeshme për Ligjin për arsimin e lartë do të pranohen, për ato problematike do të diskutohet
- LEXO: Studentët reaguan ndaj deklaratës së ministres Janevska për heqjen e studimeve ndërkombëtare dhe ndërkulturore